Prishtinë, 16 korrik 2026 17:16
Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj publike lidhur me luftën në Kosovë.
Gërvalla ka thënë se Republika e Kosovës nuk do të heshtë dhe nuk do të përkulet përballë, siç e ka cilësuar ajo, gjuhës së urrejtjes, thirrjeve për përçarje dhe relativizimit të krimeve të kryera gjatë luftës.
Sipas ministres së Drejtësisë, deklaratat që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të konsiderohen thjesht si qëndrime politike, pasi, sipas saj, ato kanë pasoja të rënda historike, juridike dhe njerëzore.
Kallëzimi penal lidhet me një deklaratë të bërë nga Paunoviq gjatë një interviste për emisionin “Neisprićano” të medias serbe “Kurir”, e transmetuar edhe në platformën YouTube, ku ajo ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviçi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”
Gërvalla ka vlerësuar se këto deklarata përbëjnë nxitje të narrativave që cenojnë paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike, duke kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe të procedojë rastin më tej.
“Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore dhe të procedohet tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka përmendur edhe pasojat e luftës në Kosovë, duke theksuar se mijëra civilë shqiptarë u vranë, qindra mijëra qytetarë u dëbuan dhe shumë persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Sipas Gërvallës, përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes në një shtet demokratik duhet të jetë sundimi i ligjit.
“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe detyrimin moral për të mbrojtur rendin kushtetues, dinjitetin e qytetarëve dhe vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë: lirinë, demokracinë, paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, ka thënë ajo.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti