Prishtinë, 14 korrik 2026 14:45
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar reagim institucional dhe ndërkombëtar pas deklaratave të ministres serbe për Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, të cilat ai i ka cilësuar si fashiste dhe të papranueshme.
Kamberi ka deklaruar se një deklaratë e ministres, e cila sipas tij ka thënë se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq do të ndërmerrte spastrim etnik në Kosovë, paraqet një rast serioz që kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Ai ka bërë të ditur se u ka dërguar shkresë zyrtare ambasadave relevante ndërkombëtare në Beograd, duke kërkuar vëmendje ndaj kësaj çështjeje.
Sipas Kamberit, deklarata të tilla nuk janë të izoluara, por janë pasojë e asaj që ai e quan “mohim sistematik të krimeve të luftës, glorifikim të personave të dënuar për krime lufte dhe revizionizëm historik”.
“Kjo është një situatë që krijon pasiguri për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe komunitetet e tjera pakicë në Serbi”, ka thënë Kamberi, duke ngritur shqetësime për mesazhet që përcillen nga zyrtarët e lartë shtetërorë.
Ai ka theksuar se Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka obligim të respektojë të drejtat e komuniteteve dhe standardet demokratike evropiane.
Kamberi ka paralajmëruar se në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Serbisë do të iniciojë kërkesën për shkarkimin e ministres Paunović, duke shtuar se mungesa e reagimit nga institucionet serbe do të mund të interpretohej si miratim i deklaratave të saj.
Serbia duhet të dëshmojë në praktikë përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe respektimit të të drejtave të njeriut, është shprehur Kamberi.
Postimi i plotë:
Deklaratat fashiste të ministrave të qeverisë tregojnë më së miri se Serbia e Millosheviqit vazhdon të mbetet e njejtë!
Deklarata e Ministres për Pushtetin Lokal, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të Slobodan Miloševićit do ta spastronte etnikisht Kosovën, është skandaloze, e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
Për këtë arsye, sot, nëpërmjet një shkrese zyrtare, kam kërkuar reagim nga të gjitha ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd.
Një deklaratë e tillë nuk mund të konsiderohet e izoluar. Ajo është rezultat i mohimit sistematik të krimeve të luftës, glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, relativizimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe revizionizmit të historisë.
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarata të tilla nga përfaqësues të institucioneve shtetërore përbëjnë një burim shtesë pasigurie. Kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione.
Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto obligime dhe tejkalojnë çdo standard demokratik mbi të cilin bazohet Bashkimi Evropian.
Në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres.
Në të kundërtën, heshtja dhe mungesa e veprimit do të kuptohen si miratim i deklaratës së saj dhe si qëndrim zyrtar i të gjithë Qeverisë.

Kongresmeni republikan Wilson: Serbia nën Vuçiqin po kërcënon stabilitetin e rajonit
Kryeministri britanik: Mbesim mbështetës të fortë të aspiratave euro-atlantike të Kosovës
Kurti: Diskutimet do të vazhdojnë, për herë të parë kemi folur pë emra të përveçëm
Kurti nga RMV: Një hap i ri drejt lidhjes Kosovë-Maqedoni e Veriut
Kamberi kritikon Vuçiqin për gjuhën antishqiptare: “A është fyerja ndaj shqiptarëve parakusht për punësim në BIA?”
Kurti: Qëndrimi i Ukrainës për Kosovën nuk qëndron përballë fakteve
Fetoshi: Glorifikimi i Mlladiqit nga Serbia dëshmon vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit
Hoti: Në Serbi kriminelët e luftës vazhdojnë të glorifikohen
Nënshkruhet “Arsimi 2035+”, nis hartimi i strategjisë së re 10-vjeçare
Përfundon gërmimi në Kalludër dhe Jabukë, mbetjet mortore dërgohen për ADN në Hagë