Prishtinë, 14 korrik 2026 10:36
Shqipëria pritet t’i mbyllë sot tre kapituj negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në BE janë pajtuar që Shqipëria të mbyllë kapitujt me numra rendorë 25, 26 dhe 30, për të cilët ose nuk ka nevojë të negociohet fare ose Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Shqipëria do të mbyllë kapitujt 25 (Shkenca dhe Hulumtimet) dhe 26 (Arsimi dhe Kultura), kapituj të cilët në të kaluarën janë hapur dhe mbyllur përnjëherë, pasi për ta nuk ka ndonjë kornizë të përbashkët ligjore të BE-së, por vetëm disa parime themelore. Por, që nga hyrja në fuqi e metodologjisë së re në procesin e zgjerimit të BE-së, asnjë kapitull nuk ka mundur të mbyllet pa u miratuar një raport i ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e rendit dhe ligjit, raport i njohur me shkurtesën IBAR. Një raport i tillë për Shqipërinë është miratuar me disa muaj vonesë, pasi ka pasur rezerva nga ana e disa shteteve anëtare, por ky miratim së paku ka hapur rrugën që Shqipëria tash të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve, pasi vitin e kaluar kishte bërë një progres të jashtëzakonshëm duke i hapur të gjithë kapitujt.
Por diplomatët nga vendet anëtare kanë përsëritur se “Shqipëria ka disa çështje rreth sundimit të ligjit” dhe se presin që Tirana të sigurojë punën e pavarur dhe të papenguar të gjyqësorit, sidomos të SPAK-ut. Në Bruksel dhe në disa kryeqytete të vendeve anëtare nuk ishin pritur mirë disa deklarata të kryeministrit Edi Rama, që u panë si përpjekje për të bërë presion ndaj SPAK-ut.
Shqipëria do të mbyllë edhe kapitullin 30, që ka të bëjë me politikën e jashtme. Rreth këtij kapitulli Shqipëria nuk ka pasur probleme asnjëherë, pasi është e përshtatur 100 për qind me pozicionet e BE-së në çështjet e jashtme, ndërkohë që është edhe vend anëtar i NATO-s.
Të njëjtën ditë pritet që Mali i Zi të mbyllë edhe dy kapituj të tjerë, duke arritur numrin e kapitujve të mbyllur në 18. Ndonëse dallimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në numrin e kapitujve të mbyllur do të jetë shumë i madh, këto dy vende tash konsiderohen si udhëheqëse në procesin e zgjerimit të BE-së.
Sot pritet të hapen kapituj negociues edhe me Ukrainën dhe Moldavinë. Ndërkohë, përpjekja e Komisionit Evropian, Francës, Italisë, Spanjës, Greqisë dhe disa vendeve të tjera që të hapen kapituj edhe me Serbinë ka dështuar, sepse kundër ishin së paku nëntë vende anëtare të BE-së. Për secilin hap në procesin e zgjerimit, vendimet merren me konsensusin e të gjitha 27 vendeve anëtare.

Propaganda ruse më e dukshme në Serbi: Narrativat përhapen edhe në Kosovë
Hoti: Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia e Millosheviqit
Avancimi i Shqipërisë dhe presidenca irlandeze rrisin pritjet e Kosovës për statusin kandidat në BE
Beshlin: Rusia nuk do të ketë fuqi të merret me Ballkanin në dekadat e ardhshme
Serwer: BE e SHBA duhet ta ndëshkojnë Beogradin për ta zhbllokuar Kosovën
PE i kërkon Serbisë normalizim të mardhënieve me Kosovën
Vdekja në Prizren, Inspektorati Qendror i Punës: Viktima nuk ishte punëtor dhe nuk kishte marrëdhënie pune
Gjenden qindra euro të falsifikuara në një bankomat në Çagllavicë
ATK paralajmëron pronarët që japin banesa me qira: Deklaroni të ardhurat ose përballuni me gjoba dhe masa ligjore
Shqipëria mbyll sot tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në