Prishtinë, 9 korrik 2026 20:34
Më shumë se një vit e gjysmë pas sulmit terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur në gjykatë pretendimet se sulmi ishte rezultat i një organizimi të mirëfilltë, i mbështetur nga strukturat shtetërore të Serbisë.
Në fjalën hyrëse të procesit gjyqësor kundër tre të akuzuarve, prokurori special Bekim Kodraliu deklaroi se provat e siguruara gjatë hetimeve dëshmojnë se Qeveria e Serbisë ka pasur rol kyç në përgatitjen dhe realizimin e sulmit ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë vepruar në kuadër të një grupi të organizuar terrorist, i cili kishte për qëllim dëmtimin e rëndë të sigurisë dhe stabilitetit në vend. Kodraliu tha se gjatë hetimeve janë siguruar prova që, sipas organit të akuzës, vërtetojnë se grupi është furnizuar me armatim, eksploziv dhe pajisje ushtarake përmes strukturave në Serbi, ndërsa anëtarët e tij kanë marrë trajnim dhe mbështetje logjistike jashtë territorit të Kosovës.
“Do të paraqesë prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet që sipas provave janë zhvilluar në poligionin ushatarak i quajtuar “livadhet e pasulit” në Republikën e Serbisë, që tash dyshohet se ka varrezë masive. Krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të aktiviteteve të kundërligjshme ndaj shtetit të Kosovës. Vërtetohet se qeveria e Serbisë ka pasur një rol kyç në këto përgatitje”, ka thënë prokurori Bekim Kodraliu.
Sipas tij, sulmi nuk ishte një akt i izoluar, por pjesë e një plani të organizuar, me synim goditjen e infrastrukturës jetike të Kosovës. Kanali i Ibër-Lepencit konsiderohet një nga asetet më të rëndësishme strategjike të vendit, pasi furnizon me ujë të pijshëm qindra mijëra qytetarë dhe është thelbësor për funksionimin e termocentraleve të Kosovës.
Ndërkohë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për organizimin dhe kryerjen e sulmit terrorist. Gjatë seancës së parë, Prokuroria paraqiti pretendimet e saj, ndërsa mbrojtja kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se klientët e tyre janë të pafajshëm.
Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit ndodhi në nëntor të vitit 2024 dhe u dënua gjerësisht nga institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët e cilësuan si një akt terrorist kundër infrastrukturës kritike dhe sigurisë së Kosovës.

Goditet për vdekje një këmbësor në Viti
Vdes në QKUK këmbësori që u godit me veturë në Prishtinë
Alarm në Prishtinë, dyshohet për mjet shpërthyes me telekomandë
Policia sekuestron armë, municion e uniforma ushtarake në dy lokacione në veri, arrestohet një person
Aksident i rëndë në rrugën Landovicë-Gjonaj, humb jetën një motoçiklist
Kamberi: Diskriminimi shtetëror serb ndaj shqiptarëve kërkon përgjigje të përbashkët
Shiroka-Pula nis zyrtarisht mandatin si presidente e Kosovës
Kosova nuk lejon fushatën e Serbisë në territorin e saj, Policia ndërhyn në Mitrovicë të Veriut për të ndaluar aktivitetin e Listës Serbe
Qeveria ndan 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet e cenueshme