Prishtinë, 6 korrik 2026 15:54
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, deklaroi se operacionet e zhvilluara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë përkushtimin e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar.
Në një konferencë për media, Isufaj ka dhënë detaje për rastin e sekuestrimit të aseteve me vlerë rreth 1 milion euro. Ai tha se ky operacion është i realizuar më 30 qershor dhe është zhvilluar në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për pastrimin e të ardhurave të përfituara nga trafikimi i drogës, i koordinuar nga autoritetet italiane dhe franceze me mbështetjen e Europolit dhe Eurojust-it.
“Operacioni në fjalë është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, i ndërtuar mbi besimin, shkëmbimin e informacionit dhe angazhimin e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar dhe të gjitha format e tij”, tha Isufaj.
Ai bëri të ditur se më 30 qershor është mbajtur edhe një takim me përfaqësues të autoriteteve të Spanjës, Francës, Italisë, Gjermanisë, Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Europolit.
“Ata janë ndarë të kënaqur me punën e prokurorisë dhe, për më tepër, jemi pajtuar që të vazhdojmë punën e përbashkët në luftë ndaj krimit të organizuar”, u shpreh ai.
Sipas Isufajt, gjatë muajve të fundit janë zhvilluar edhe disa operacione të tjera, përfshirë operacionin “White Star”, operacionin “Mega”, si dhe një aksion më 2 korrik, ku janë arrestuar persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë shpëlarjen e parave, kontrabandimin e mallrave, financimin e terrorizmit dhe krimin e organizuar.
Ai tha gjithashtu se PSRK-ja ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, të zhvilluar në janar të këtij viti, kundër një infrastrukture të paligjshme IPTV.
Isufaj theksoi se të gjitha rastet do të hetohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe agjencitë ndërkombëtare.
“Puna në këto raste sapo ka filluar dhe natyrisht se do të kërkojë kohë, por ne gjithmonë do të jemi në harmoni me afatet ligjore”, deklaroi ai.
Ai nënvizoi se Prokuroria Speciale ka shënuar rezultate edhe në rastet e spiunazhit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, tashmë i ka shpallur fajtorë katër persona për vepra spiunazhi, ndërsa disa raste të tjera i kemi në proces”, tha Isufaj.
Lidhur me detajet e hetimeve sa i përket sekuestrimit të aseteve në vlerë 1 milion euro, ai tha se prokuroria nuk mund të japë informacione shtesë në këtë fazë.
“Ne tani nuk mund të japim shumë detaje për rastet që janë në hetim për shkak se nuk është edhe etike, edhe nuk paragjykojmë”, u shpreh Isufaj.
Sa i përket personave të arrestuar në kuadër të hetimit ndërkombëtar të nisur në vitin 2025, ai bëri të ditur se ata ndodhen në Itali.
“Dy të pandehurit për të cilët u zhvillua operacioni këtu në Kosovë, ata janë të arrestuar në Itali dhe atje janë në paraburgim”, tha Isufaj.
Në fund, kryeprokurori vlerësoi bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe Policinë e Kosovës.
“Operacioni i zhvilluar në Kosovë ka qenë një operacion i shkëlqyeshëm dhe i vlerësuar jashtëzakonisht nga të gjithë partnerët… Unë shfrytëzoj rastin këtu të falënderoj jashtëzakonisht shumë Policinë e Kosovës por edhe prokurorin e rastit”, deklaroi Isufaj.

”Një simbol i lirisë dhe miqësisë”, Prattipati vlerëson pullën postare të Kosovës për SHBA-në
Ministri në detyrë, Armend Muja thërret në takim përfaqësues të fermerëve pas protestës
Policia e Serbisë akuzohet për zhvatje në Batrovc, Koci publikon dëshminë e një qytetari
Mbi 4 mijë foshnja të testuara, skriningu neonatal zgjerohet në Kosovë
`Livadhet e Fasules` në Serbi, lokacion i dyshuar për varrezë masive
Kandiq fton studentët serbë të dalin në mbështetje të furrës së shqiptarit në Krushevc
Isufaj: Bashkëpunimi ndërkombëtar po jep rezultate në luftën kundër krimit
Gjenden municion, armë e pajisje ushtarake në tri shtëpi të pabanuara në Zubin-Potok