Prishtinë, 2 korrik 2026 13:59
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka shënuar 20-vjetorin e themelimit, duke kurorëzuar dy dekada angazhimi në mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës dhe në forcimin e sundimit të ligjit. Në ceremoninë përkujtimore, përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë vlerësuan lart kontributin e IPK-së në ndërtimin e një policie profesionale, transparente dhe të përgjegjshme.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se IPK është krijuar me misionin për të siguruar që ata që mbrojnë qytetarët të mbeten brenda kornizës ligjore, duke theksuar se kjo është një nga detyrat më të vështira për një shtet demokratik.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në dy dekadat e fundit, Inspektorati Policor i Kosovës është shndërruar në një institucion të besueshëm dhe një garanci për integritetin e Policisë së Kosovës dhe zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa dallim apo favorizim.
“Përgjatë 20 viteve të fundit, IPK është kthyer në një institucion të besueshëm, i sponsorizuar si një garanci e integritetit të Policisë së Kosovës dhe e zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa dallim, pa diskriminim e pa favorizim. Përmes mandatit të tij, hetimeve, inspektimeve dhe mbikëqyrjes, IPK ka dëshmuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se besimi i qytetarëve trajtohet me profesionalizëm, transparencë dhe llogaridhënie”, tha ai.
Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj tha se gjatë 20 viteve institucioni ka trajtuar mijëra ankesa, ka zhvilluar hetime dhe ka dhënë rekomandime që kanë ndikuar në përmirësimin e punës së Policisë së Kosovës, duke theksuar se rritja e ankesave tregon besimin e qytetarëve.
“Përgjatë këtyre dy dekadave, jemi angazhuar në trajtimin profesional të mijëra ankesave të qytetarëve. Kemi zhvilluar hetime penale e disiplinore dhe kemi dhënë mijëra rekomandime që kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës policore dhe menaxheriale të Policisë së Kosovës. Sot, IPK gëzon besimin e qytetarëve. Rritja e vazhdueshme e numrit të ankesave të paraqitura nuk është vetëm tregues i problemeve, por është gjithashtu dëshmi se qytetarët besojnë se zëri i tyre dëgjohet dhe se çdo pretendim trajtohet me paanshmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, u shpreh Hodaj.
Në përmbyllje të ceremonisë u riafirmua përkushtimi për fuqizimin e mëtejshëm të Inspektoratit Policor të Kosovës, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe vazhdimin e bashkëpunimit me partnerët vendorë e ndërkombëtarë, në funksion të një policie moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.

FSK forcon bashkëpunimin me Forcat Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë
Nis ndërtimi i stacionit policor në Dren të Leposaviqit, Policia konfirmon infrastrukturën rrugore fillimisht
“Dosja 23”: Në Zubin Potok sekuestrohen armë, predha, libreza ushtarake dhe para të gatshme (Video)
Fronti hibrid, alarm për sigurinë në Kosovë
Policia e Kosovës dhe FBI-ja forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit
Shala: Kërcënimi nuk është zhdukur, Kosova duhet të zbulojë në kohë operacionet destabilizuese
Nga nesër hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n
Dy OJQ me një drejtor përfitojnë nga buxheti i Graçanicës, ngrihen dyshime për konflikt interesi (Dokument)
Zana Bllaca bëhet pingpongistja e parë kosovare e ftuar në turneun evropian
Qeveria miraton marrëveshjet me BE-në, Kosova pritet të përfitojë rreth 300 milionë euro