Prishtinë, 2 korrik 2026 07:05
Gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte gjatë luftës në Kosovë ka dështuar të nisë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të problemeve procedurale që lidhen me përfaqësimin ligjor të të pandehurve.
Të akuzuarit, kryesisht ish-zyrtarë ushtarakë dhe policorë të strukturave të Serbisë, ngarkohen me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, lidhur me dëbimin e qindra mijëra civilëve shqiptarë gjatë periudhës janar-qershor 1999.
Gjykatësja Medie Bytyqi bëri të ditur se nuk janë plotësuar kushtet për zhvillimin e shqyrtimit fillestar, pasi nuk ishte siguruar në mënyrë të rregullt përfaqësimi ligjor për të gjithë të akuzuarit dhe avokatët nuk ishin pajisur me aktakuzat dhe shkresat e lëndës në kohë. Për këtë arsye, seanca u shty për më 15 shtator, në orën 09:00.
Në seancë, prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli deklaroi se Prokuroria ka përmbushur të gjitha kushtet ligjore për zhvillimin e gjykimit në mungesë, duke theksuar se të pandehurit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
“Meqenëse janë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe të pandehurit kanë qenë të paarritshëm për prokurorinë, në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kriteret që gjykata të fillojë shqyrtimin kryesor”, tha ajo.
Megjithatë, vështirësitë në sigurimin e avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve bënë që procesi të mos nisë sipas planifikimit.
Lidhur me shtyrjen e seancës, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se rastet e krimeve të luftës nuk duhet të vonohen më, duke kërkuar që Gjykata dhe Oda e Avokatëve të sigurojnë pjesëmarrjen e mbrojtësve në seancat e ardhshme.
Sipas tij, kalimi i kohës rrezikon që shumë dëshmitarë dhe persona të përfshirë në këto raste të mos jenë më gjallë, duke e vështirësuar zbardhjen e plotë të krimeve.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzën në mungesë më 15 gusht të vitit të kaluar ndaj 21 të pandehurve.
Sipas aktakuzës, ata dyshohen se gjatë periudhës janar-qershor 1999 ushtronin kontroll dhe autoritet mbi forcat ushtarake dhe policore në terren, ishin në dijeni për dhunën e ushtruar ndaj civilëve shqiptarë dhe nuk ndërmorën veprime për ta parandaluar apo ndalur atë.

Nga nesër hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n
Qeveria rialokon 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe shtesën 0.5 për përvojë pune
Aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte në Kaçanik
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë, do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e tij
Protesta “Jo në emrin tim!” hyn në ditën e 15-të
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës
Dy OJQ me një drejtor përfitojnë nga buxheti i Graçanicës, ngrihen dyshime për konflikt interesi (Dokument)
Zana Bllaca bëhet pingpongistja e parë kosovare e ftuar në turneun evropian
Qeveria miraton marrëveshjet me BE-në, Kosova pritet të përfitojë rreth 300 milionë euro