Prishtinë, 1 korrik 2026 17:15
Qeveria në detyrë e Kosovës konsideron se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me deklaratën se Millan Radoiçiq nuk është kriminel, po inkurajon sulmet ndaj policëve të Kosovës.
“Deklarata e Vuçiqit tregon që ai e kontrollon sistemin e drejtësisë dhe që sulmet ndaj policëve të Kosovës nuk paraqesin krime për Serbinë dhe ato kësisoj inkurajohen nga vetë kreu i shtetit atje”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i ekzekutivit, Arlind Manxhuka.
Në fillim të javës, Vuçiq deklaroi se Radoiçiq – i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023 – ndaj të cilit është lëshuar njoftim i kuq nga Interpol-i, nuk po ndiqet penalisht për ndonjë krim.
“S’keni thënë pse Millan Radoiçiq është në njoftim të kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”, tha udhëheqësi serb.
Vuçiq: Radoiçiqi nuk është kriminel, Vesellinoviqin nuk duhet ta ruajnë pjesëtarët e Xhandarmërisë
Ndonëse ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës, Radoiçiq është i lirë në Serbi, me adresë të regjistruar në Beograd. Serbia nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë ndaj tij.
Megjithatë, ndaj tij është lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Interpol-i, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Manxhuka tha se Qeveria në detyrë e Kosovës kërkon nga faktori ndërkombëtar që të dënojë “këtë degradim të mëtutjeshëm në sjellje të shtetit të Serbisë”.
“Deklarime të tilla dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërruar mendje karshi Republikës së Kosovës dhe se kjo mendësi paraqet rrezik për paqen në rajon dhe më gjerë”, tha ai.
Të gjitha hetimet dhe fletarrestimet ndaj Radoiçiqit në Kosovë
Zëdhënësi shtoi se për Kosovën ka qenë e qartë që sabotimi dhe luftimi i sundimit të ligjit në veriun, e banuar me shumicë serbe, “organizohet dhe dirigjohet nga Serbia”.
“Fakti që ky grup [që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit] u organizua, ushtrua, përgatit dhe në fund u fut nga Serbia në Kosovë, por edhe u armatos me armë zyrtare të shtetit të Serbisë, të dëshmuar edhe evidentuar në provat e gjetura në terren, tregon qartë se Serbia ishte mbrapa dhe sipër”, tha ai.
Kosova e konsideron sulmin në Banjskë si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të. Por, Beogradi mohon çdo përfshirje.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë dhe në mesin e 45 personave të akuzuar është edhe Radoiçiqi, i cili përshkruhet si “kreu i grupit terrorist”.
SHIKONI EDHE:
Dy vjet pa aktakuzë për Banjskën në Serbi: Radoiçiq me adresë në Beograd
Për këtë rast, më herët gjatë këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre persona: dy prej tyre me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim.
Të akuzuarit e tjerë ndodhen në arrati dhe për ta Kosova ka lëshuar fletarrestime përmes Interpol-it. Kosova vazhdimisht kërkon që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin për t’u përballur me drejtësinë. Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ndërkaq i kërkojnë Beogradit që të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë.

Kurti pret delegacionin amerikan, diskutohet thellimi i bashkëpunimit në fusha strategjike
InfraKos: Siguria në hekurudhë është përgjegjësi e përbashkët
Kosova me statistika të reja demografike: Agjencioni i Statistikave të Kosovës prezanton 56 raporte
Haxhiu dhe Kurti: Deklarata Kushtetuese hodhi themelet e shtetësisë
Kosova ka marrë kryesimin e Komitetit të Energjisë me një përkushtim të pa lëkundër
Trepça ruan ritmin e prodhimit, mijëra tonë koncentrat drejt tregjeve të huaja
Mbështetja e Gjermanisë është kyçe për anëtarësimin e Kosovës në BE
Përleshje me armë në Podujevë, motiv dyshohet mosmarrëveshja familjare
Katër të plagosur nga ngjarja në Podujevë