Prishtinë 25 Qershor 2026 8:48
Ambasadori i Kosovës për Marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj, ka reaguar ndaj pretendimeve dhe interpretimeve që janë bërë ditët e fundit për mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe të motivuara nga interesa politike.
Përmes një reagimi publik, Zemaj tha se në rrjete sociale dhe në disa media po qarkullojnë narrativa që, sipas tij, deformojnë realitetin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Ai theksoi se samitet e Aleancës Veriatlantike funksionojnë mbi baza të qarta institucionale dhe se pjesëmarrja në to përcaktohet nga statusi i shteteve anëtare dhe partnerëve të NATO-s.
“Duhet të jetë e qartë: Samitet e NATO-s nuk janë ngjarje të hapura për interpretime politike apo keqlexime mediatike sipas narrativave dhe kalkulimeve të brendshme politike, por procese strikt institucionale të NATO-s, të bazuara në statusin e shteteve anëtare dhe partnerëve të Aleancës. Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur mospjesëmarrjen e Kosovës si ‘mesazh politik’ është e pabazuar, e shtrembëruar dhe në thelb e dëmshme për të kuptuar realitetin institucional”, ka deklaruar Zemaj.
Në reagimin e tij, ai rikujtoi edhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, të cilën e cilësoi si vendimtare për ndalimin e dhunës, terrorit dhe krimeve të regjimit të atëhershëm serb ndaj popullit të Kosovës.
“Republika e Kosovës mbetet thellësisht mirënjohëse ndaj NATO-s për ndërhyrjen vendimtare humanitare dhe ushtarake të vitit 1999, e cila u ndërmor për të ndalur dhunën sistematike, terrorin dhe krimet e rënda të regjimit të atëhershëm të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo ndërhyrje historike hapi rrugën e paqes, lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës”, ka thënë ai.
Zemaj vlerësoi gjithashtu kontributin e misionit të KFOR-it dhe të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), duke theksuar se ata kanë luajtur rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe zhvillimin institucional të Kosovës gjatë më shumë se dy dekadave.
Sipas ambasadorit, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj integrimit euroatlantik dhe synimit për anëtarësim të plotë në NATO, ndërsa paralajmëroi se narrativat që, sipas tij, cenojnë raportet me Aleancën janë të dëmshme dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
“Kosova nuk devijohet nga asnjë narrativë e fabrikuar. Rruga jonë dhe qëllimi janë të qarta dhe të pandryshueshme: partneritet i thellë me NATO-n dhe integrimi i vazhdueshëm deri te anëtarësimi i plotë në Aleancë dhe strukturat tjera euroatlantike në të ardhmen”, ka përfunduar Zemaj.

Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës
397 kadetë diplomojnë në Policinë e Kosovës, Kurti e Haxhiu me mesazhe për gjeneratën e re
Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit
Sveçla: Kosova mbetet partner serioz i Europol-it
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Nisin punimet për fabrikën e municionit në Gjakovë
Kurti fton shqiptarët e Luginës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Pesë të vdekur dhe mbi dhjetë të plagosur nga të shtënat në qendër të Krakovit
Kosova me synime për dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, publikohet lista