Prishtinë, 22 qershor 2026 21:25
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka folur për sfidat që paraqiten për ndëshkimin e krimeve serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare duhet t’i bëjë më shumë presion Serbisë që në kuadër të dialogut të diskutohet edhe për shkëmbimin e informatave dhe arrestimin e kryerësve të krimeve të luftës.
Alija është shprehur se viktimat e krimeve serbe ende po presin drejtësi dhe ndëshkimi i kriminelëve serbë duhet të ndodhë sa janë ende gjallë.
Sipas tij Serbisë duhet t’i kushtëzohet me integrimin e saj evropian.
“Për të zgjidhur një mosmarrëveshje me shtetin e Serbisë, mënyra e vetme është dialogu. Ne për vite të tëra i kemi përsëritur rekomandimet që në kuadër të dialogut të vendoset tema e bashkëpunimit juridik mes këtyre dy shteteve. Ashtu siç Serbia e ka me Kroacinë dhe Bosnjen, pra të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi edhe në këtë fushë”, ka thënë Alija.
Në Kosovë kanë filluar të zhvillohen gjykimet në mungesë ndaj krimeve serbe. Alija ka thënë se caktimi i një avokati në Kosovë është obligative për t’u zhvilluar seanca siç e kërkon procedura ligjore.
Për këtë ai ka thënë se Oda e Avokatëve duhet të punojë në këtë drejtim dhe t’i bëhet me dije opinionit publik se mbrojtja në këtë rast është obligim ligjor.
“Ka ndodhur në seanca të caktuara kur është vërejtur një hezitim nga avokatë të caktuar që angazhohen në një rast të caktuar. Këto hezitime duhet të parandalohen, të bisedohet me avokatë, duhet të bëhen trajnime sepse kur caktohet nga shteti sigurisht që avokati duhet ta ofrojë maksimumin e profesionalizmit”, ka thënë Alija për KTV.
Sipas tij nëse një ditë filtrohen gjykimet në Gjykatën e Strasburgut, duhet të ketë mbarëvajtje profesionale ligjore në mënyrë që të mos kontestohen vendimet e trupit gjykues në Kosovë.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka organizuar një panel diskutimi me temën “Forcimi i kapaciteteve profesionale në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, duke mbledhur profesionistë të drejtësisë, përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile për të diskutuar nevojat aktuale dhe pengesat në procesimin e rasteve të krimeve të luftës.
Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për trajnime të specializuara për avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare, me qëllim garantimin e mbrojtjes efektive dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të procesit të rregullt ligjor.

Maqedonci nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës
Përmirësimi i sigurisë në hekurudha, planifikohen investime mbi 2 milionë euro në shtatë vendkalime përgjatë linjës Prishtinë–Prizren
Policia paralajmëron qytetarët për SMS mashtruese në emër të institucioneve të Kosovës
Pas KGJK-së, Haxhiu i drejtohet edhe KPK-së për dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në vitin 2022
Kosova kërkon qasje në arkivat e Brigadës së 37-të dhe rikthim të gërmimeve
Veç në muajin maj/ Rreth 15 milionë € nga buxheti u shpenzuan për shtesat e fëmijëve për 406 mijë përfitues
Dyshime për mjet shpërthyes, rrethohet Stacioni i Autobusëve në Prishtinë