Prishtinë, 14 qershor 2026 20:26
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet e Kosovës po vazhdojnë hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës me një intensitet të paparë deri më tani, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj autorëve të krimeve të kryera kundër popullatës së Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) për operacionin e zhvilluar të shtunën, gjatë të cilit u arrestuan pesë persona të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut, si dhe një person i dyshuar për vrasjen e civilëve në Ponesh të Gjilanit.
“Krimet e luftës të kryera nga forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht si asnjëherë më parë”, ka theksuar ai.
Sipas Sveçlës, Serbia duhet të japë llogari për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ndërsa të gjithë ata që kanë planifikuar, urdhëruar apo zbatuar krime kundër popullit të Kosovës duhet të përballen me drejtësinë.
Ai ka vlerësuar se dhimbja e familjeve të viktimave mbetet ende e madhe, por ka nënvizuar se drejtësia është një obligim institucional dhe moral që nuk parashkruhet.
Ministri ka bërë të ditur se institucionet do të vazhdojnë pa u ndalur në ndjekjen e personave përgjegjës për krime lufte, duke shtuar se kapacitetet për hetimin e këtyre rasteve janë forcuar. Sipas tij, njësia për hetimin e krimeve të luftës në Policinë e Kosovës është avancuar nga nivel sektori në drejtori dhe i është dyfishuar numri i personelit.
“Në ndjekjen e kriminelëve të luftës do të vazhdojmë derisa secili përgjegjës të japë llogari për veprat e kryera”, ka thënë Sveçla.
Ai ka shtuar se vetëm përmes vendosjes së drejtësisë për viktimat mund të forcohet e vërteta historike, të ndërtohet një e ardhme e bazuar në dinjitet dhe përgjegjësi, si dhe të parandalohet përsëritja e ngjarjeve tragjike të së kaluarës.

Thaçi mohon çfarëdo përfshirje në vrasje
Shënohet viktima e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë mbi aktgjykimin e Hagës
Takohen Kurti e Hamza