Prishtinë, 8 qershor 2026 19:16
Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri me inicialet A.D., në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, dyshohet se ka fshehur gjashtë fletëvotime gjatë procesit zgjedhor të mbajtur më 7 qershor për zgjedhjet parlamentare.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se rasti ka ndodhur në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sharr” në fshatin Jabllanicë të Prizrenit.
“Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e deritanishme, më 07.06.2026, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën ‘Sharr’ në fshatin Jabllanicë të Prizrenit, i pandehuri A.D., në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, me qëllim të pengimit të zhvillimit të rregullt të procesit zgjedhor dhe cenimit të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve, ka marrë dhe fshehur gjashtë (6) fletëvotime të paplotësuara, të cilat paraprakisht i kishte shkëputur nga blloku i fletëvotimeve”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin me prioritet të rasteve që lidhen me procesin zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të qytetarëve.
“Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të të gjitha rasteve që cenojnë vullnetin e lirë të qytetarëve dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë.
Lidhur me rastin, autoritetet nuk kanë bërë të ditur detaje të tjera, ndërsa pritet që gjykata të vendosë për kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, nis afati për formim të institucioneve
KQZ-ja certifikon sot rezultatet përfundimtare
Hapet rruga për certifikim të rezultateve të zgjedhjeve, KQZ-ja mblidhet të mërkurën
Certifikimi i rezultateve: KQZ pret vendimet e Supremes
Sot i hapet rruga KQZ-së për certifikimin e rezultateve, nëse s’ka ankesa
KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit
Të shtëna me armë zjarri në Lipjan, plagoset një person pas një mosmarrëveshjeje
Policia mohon arrestimin e shtetasit turk: U paraqit si ankues, pas intervistimit u lirua
Shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim