Prishtinë, 5 qershor 2026 09:12
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999. Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, të akuzuar në këtë rast janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq.
Sipas raportimit, dosja e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër 21 personave për Masakrën e Reçakut përshkruan një seri krimesh të rënda lufte të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë janarit 1999. Të akuzuarit, të identifikuar si pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe, ngarkohen për vrasje, trajtim çnjerëzor, torturë, shkatërrim të pronës dhe dëbim të popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, më 15 janar 1999 forcat serbe rrethuan fshatin Reçak, e granatuan atë dhe më pas hynë nëpër shtëpi, duke ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët. Gratë dhe fëmijët u detyruan të largoheshin, ndërsa shumë burra u ekzekutuan. Prokuroria pretendon se gjatë operacionit u vranë 42 civilë shqiptarë.
Dosja përshkruan edhe raste të dhunës fizike ndaj civilëve, të cilët, sipas hetimeve, u rrahën me kondakë armësh, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta. Aktakuza përmend gjithashtu trajtimin çnjerëzor të dhjetëra civilëve dhe ekzekutime në lokacione të ndryshme të fshatit.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes është dëbimi masiv i popullsisë. Prokuroria pretendon se rreth 20 mijë civilë nga Reçaku dhe fshatrat përreth u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në kuadër të një fushate spastrimi etnik.
Aktakuza është ngritur në mungesë, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet pa praninë e të akuzuarve, pasi ata konsiderohen të paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës. Gjykimi për këtë rast pritet të nisë gjatë korrikut 2026 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Policia mohon arrestimin e shtetasit turk: U paraqit si ankues, pas intervistimit u lirua
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim
Edhe 30 ditë paraburgim pjesëtarit serb të MUP-it, V.M. dyshohet se kidnapoi Milan Vukashinoviqin në Leposaviq
Arrestohet një shtetas turk, i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Krushës
Haxhiu: Nuk lejojmë gjyqtarë dhe prokurorë nën urdhrat e Serbisë
Haxhiu: Ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë kanë marrë pagesa nga Serbia edhe gjatë kohës në institucionet e Kosovës
Shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale
Paunoviq mbron deklaratën për “spastrim etnkik” të Kosovës