Prishtinë 3 Qershor 2026 14:06
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.
U.d. së presidentes Haxhiu e falënderoi presidentin Costa për vizitën në Kosovë dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Evropian ndaj rajonit. Ajo theksoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.
Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Për qytetarët e saj, Bashkimi Evropian është bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë Bashkimin Evropian.
Në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor. U.d. së presidentes Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake. Në këtë frymë, Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.
Presidenca bën me dije se në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane.
“U.d. së presidentes Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrues që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës”, deklaron presidenca.

Gjyqi për Masakrën e Reçakut pritet të nisë së shpejti, Walker dhe Clark në listën e dëshmitarëve
Nga 1 gushti gjobiten ciceronët pa licencë, Kosova forcon rregullat për udhërrëfyesit turistikë
“Ma vranë babanë para syve”, rrëfimi i 11-vjeçares për Masakrën e Hallaqit të Vogël
Dy masakra që plagosën Drenasin: Prokuroria dhe Policia zotohen për zbardhjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë
Kosova fiton çmimin për kostumin tradicional më të mirë në ceremoninë hapëse të Gothia Cup 2026 në Paradën e Kombëve
Mbi 5 milionë euro për trajtimin e sëmundjeve të rralla
Fillon nënshkrimi i peticionit `për një Ferizaj pa Uroshevac`
51 raste, 18 të arrestuar dhe arsenal armësh i sekuestruar: Bilanci i Policisë së Kosovës në veri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026
Qeveria i kërkon BE-së dënim të deklaratave të ministres serbe për Kosovën