Prishtinë, 22 maj 2026 11:24
Masakra e 13 prillit 1999 në Studenicë të Istogut u rikthye në sallën e gjyqit përmes rrëfimeve tronditëse të dëshmitarëve Enver dhe Rahime Lipaj, të cilët treguan se si nëntë anëtarë të familjes së tyre, përfshirë gra, pleq dhe fëmijë, u vranë nga forcat serbe dhe më pas trupat e tyre u hodhën në një pus për t’u fshehur gjurmët e krimit.
Sipas dëshmisë së Enver Lipajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë, familjarët e tij kishin shkuar në shtëpinë e vjehrrit për të përgatitur ushqim për pjesën tjetër të familjes që ishte strehuar në mal. Ai tha se më vonë ata ishin kapur nga forcat serbe, ishin ekzekutuar dhe trupat e tyre ishin hedhur në pus, i cili më pas ishte dëmtuar me mjete shpërthyese.
Lipaj deklaroi se ndër viktimat ishte edhe një vajzë 15-vjeçare, duke theksuar se të vrarët ishin civilë të pambrojtur. Edhe bashkëshortja e tij, Rahime Lipaj, rrëfeu para trupit gjykues momentet e fundit para ngjarjes, duke treguar se djali i tyre kishte shkuar për t’i njoftuar familjarët që të largoheshin nga shtëpia, por ato kishin qëndruar edhe për pak kohë.
Këto dëshmi u dhanë në vazhdimin e gjykimit ndaj të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq. Sipas dëshmitarit Enver Lipaj, Pantiq, i cili në atë kohë kishte qenë ish-kryeshef i policisë në Istog, ndodhej në pozitë komanduese dhe kishte mundësi të parandalonte krimet që po kryheshin ndaj civilëve shqiptarë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, të akuzuarit ngarkohen për krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999 në rajonin e Istogut, përfshirë vrasje, dhunë dhe keqtrajtime ndaj civilëve shqiptarë.

Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n
Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Murati: Kosova ul kufirin e pagesave me para të gatshme për të parandaluar financimet e paligjshme
Kosova dhe Maqedonia e Veriut synojnë thellimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe siguri ushqimore
Në Leposaviq gjenden armë e pajisje ushtarake
Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja rrëfen keqtrajtimin gjatë luftës
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici