Prishtinë 13 Maj 2026 8:43
Sot mbushen dhjetë vjet nga një prej datave më historike për sportin dhe shtetin e Kosovës. Më 13 maj 2016, në Kongresin e 66-të të FIFA-s, të mbajtur në Meksiko, Kosova u pranua si anëtarja e 210-të e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.
Ky moment erdhi vetëm dhjetë ditë pas anëtarësimit në UEFA, më 3 maj 2016, duke i dhënë fund izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar dhe duke kurorëzuar përpjekjet e gjata të Federatës së Futbollit të Kosovës për ndërkombëtarizim.
Rruga drejt FIFA-s ishte e vështirë dhe e mbushur me sfida, sakrifica e punë të pandërprerë nga shumë gjenerata sportistësh. Megjithatë, më 13 maj 2016 u hap një kapitull i ri për futbollin e Kosovës, që prej atëherë nisi të garojë zyrtarisht në arenën ndërkombëtare.
Para votimit historik në Kongresin e FIFA-s, anëtari i atëhershëm i Këshillit të FIFA-s, Şenes Erzik, deklaroi se Kosova i kishte plotësuar të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e FIFA-s.
Më pas, delegatëve iu drejtua legjenda e futbollit kosovar dhe kryetari i ndjerë i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili foli për historinë dhe traditën e futbollit në Kosovë, duke kujtuar se Kosova tashmë ishte pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në shumë federata tjera sportive ndërkombëtare.
Në fund të fjalimit të tij emocional, Vokrri deklaroi se “futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin”, duke kërkuar mbështetjen e delegatëve për pranimin e Kosovës në FIFA.
Edhe pse Serbia kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës, presidenti i FIFA-s në atë kohë, Gianni Infantino, bëri të qartë se vendimi i takonte Kongresit dhe kërkoi që procesi të vazhdonte me votim elektronik.
Rezultati ishte historik: Kosova mori 141 vota pro nga 164 vota valide, duke u bërë zyrtarisht anëtare e FIFA-s.
Pas pranimit, Fadil Vokrri falënderoi presidentin, zëvendëspresidentët dhe anëtarët e Këshillit të FIFA-s për mbështetjen e dhënë.
“Kjo është një datë shumë e rëndësishme për ne, pasi sot jemi pjesë e FIFA-s. Të gjithë në Kosovë i gëzohen këtij vendimi të Kongresit të FIFA-s. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”, ishte deklarata e Vokrrit pas votimit historik.
Në mënyrë simbolike, ai mori edhe emblemën e FIFA-s si dhuratë nga presidenti Infantino, në një moment që mbetet ndër kujtimet më të veçanta në historinë e sportit kosovar.
Dhjetë vjet më pas, Kosova vazhdon rrugëtimin e saj në arenën ndërkombëtare, me ekipet kombëtare dhe klubet që tashmë janë pjesë e rregullt e garave evropiane dhe botërore, duke dëshmuar se anëtarësimi në FIFA ishte një pikë kthese për të ardhmen e futbollit në vend.

Muriqi në formacionin e sezonit në La Liga
Vedat Muriqi me 22 gola në La Liga, afrohet seriozisht me çmimin e golashënuesit më të mirë të edicionit
Notarja kosovare e thyen rekordin kombëtar dhe shkëlqen me tri medalje në Kroaci
Aranzhohen dy ndeshje miqësore për Kombëtaren e Kosovës
Barcelona – Real Madrid, derbi i mbrëmjes
Drita kampione e Kosovës, mund Ballkanin, fiton edhe Drenica
Kamberi dhe dy deputetë të tjerë paraqesin rezolutë për dënimin e krimeve të kryera në Kosovë
Bajrami: Dialogu me Serbinë të përmbyllet sa më shpejt dhe me njohje reciproke
Përurohen tri ndërtesa sociale me efiçiencë në Prizren për 51 familje