Prishtinë 6 Maj 2026 14:34
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë, ku është takuar me familjarë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Sipas njoftimit të Presidencës, Në këtë vizitë, Haxhiu, ka dëgjuar nga afër shqetësimet, kërkesat dhe dhimbjen e familjeve që ende presin përgjigje për më të dashurit e tyre.
“Në Komunën e Mitrovicës janë ende 104 persona të zhdukur me dhunë, për fatin e të cilëve familjet nuk kanë asnjë informacion. Kjo është plagë e rëndë për familjet, për Mitrovicën dhe për gjithë Republikën e Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës kanë detyrim të vazhdojnë punën për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë, ndërsa pengesa kryesore në këtë proces mbetet mungesa e bashkëpunimit nga Serbia.
“Problemi kryesor vazhdon të jetë Serbia, e cila nuk po jep informacionet e nevojshme për fatin e personave të zhdukur me dhunë. Kërkesat e familjeve dhe të nënave që ende presin përgjigje do t’i adresojmë tek institucionet përgjegjëse. Kjo çështje duhet të mbetet në qendër të punës institucionale”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Gjatë vizitës, ajo ka falënderuar Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë për punën shumëvjeçare në mbajtjen gjallë të zërit të familjarëve dhe në kërkimin e së vërtetës për të pagjeturit.
“Kjo është vizita ime e parë në këtë shoqatë dhe dua t’i falënderoj për punën e madhe që kanë bërë ndër vite. Për shumë kohë, një pjesë të barrës që duhej ta mbanin institucionet pas luftës e kanë mbajtur shoqatat dhe organizatat e familjarëve, përfshirë edhe këtë shoqatë në Mitrovicë”, ka theksuar ajo.
U.D. Presidentja Haxhiu ka përmendur edhe hapat institucionalë të ndërmarrë për trajtimin e krimeve të luftës dhe për forcimin e drejtësisë tranzicionale në Kosovë.
“Për familjarët e viktimave të luftës dhe për familjet e personave të zhdukur me dhunë, drejtësia mbetet kërkesë e përhershme. Prandaj janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, si mundësimi i gjykimit në mungesë, themelimi i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, rritja e kapaciteteve në polici e prokurori dhe miratimi i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale. Këto janë veprime që tregojnë përkushtimin institucional për adresimin e krimeve të luftës dhe për mbështetjen e familjeve”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Krahas për 107 vrasje, 20 serbë akuzohen edhe për plaçkitje e dëbim gjatë luftës në Kosovë
4.1 milionë euro për rehabilitimin e skarpateve në autostradën “Ibrahim Rugova”
Zjarr i madh në Sllatinë të Fushë Kosovës
Haxhiu dekoron senatoren Ernst
Aktakuza ndaj Radojçiçit dhe të tjerëve pohon se trupat e 107 civilëve të vrarë u groposën në Batajnicë
Mbi 174 mijë aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore, përfshihen për herë të parë edhe familjet pa leje qëndrimi
Vdekje e dyshimtë në Han të Elezit, një person gjendet në lumin Lepenc
Nga pasivizimi i adresave te përjashtimi nga drejtësia: shqiptarët e Luginës jashtë sistemit
Kosova sfidon Italinë në duelin e parë të Lojërave Mesdhetare
DokuFest, dëshmi e zhvillimit kulturor dhe artistik të Kosovës