Beograd, 21 Korrik 2025

Njësia për Siguri në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, funksionon nën komandën joformale të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas mediumit Radar, njësia është përdorur në operacione të dyshimta, si nga ndalimi i qytetarëve gjatë protestave në Beograd, te arrestimi i policëve kosovarë dhe ndalimi i emigrantëve ilegalë. Në të janë rekrutuar persona pa asnjë përvojë në polici apo siguri, shpesh në bazë miqësie ose afërsie me pushtetin.

Sipas Radar, veçanërisht interesante është fakti që brenda Njësisë për Siguri vepron një togë antiterroriste, e cila, pa asnjë qartësi për kompetencën, ka vepruar më 14 qershor 2023 gjatë arrestimit të tre policëve kosovarë në komunën e Rashkës.

Njësia për Siguri në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (JZO) që operon nëpër Serbi, e themeluar fillimisht si strukturë mbrojtëse me 300 pjesëtarë pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq, është transformuar në një forcë prej mbi 1.250 vetash që, sipas burimeve të brendshme, funksionon nën komandën joformale të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në qendër të vëmendjes është Marko Kriçak, ish-shitës i makinave luksoze dhe mik i afërt i biznesmenit Zvonko Veselinoviq, i cili përmes lidhjeve personale është bërë komandant i JZO-së, duke komanduar policë me përvojë shumëvjeçare.

Në këtë njësi, janë rekrutuar persona pa asnjë përvojë në polici apo siguri, shpesh në bazë miqësie ose afërsie me pushtetin, e cila sipas mediumit serb Radar, është përdorur në operacione të dyshimta.

Falë lidhjeve me Veselinoviqin dhe afinitetit ndaj luksit, Kriçak u pranua në Agjencinë për Informacion dhe Siguri (BIA), konkretisht në Drejtorinë e Pestë të Kundërzbulimit – dikur departament elitar ku pranoheshin vetëm operativë me përvojë të gjatë.

Sipas këtij mediumi, nën komandën e tij, njësia është përdorur për situata të ndryshme – nga përleshjet me taksistë ilegalë në aeroportin e Beogradit, ndalimi i policëve kosovarë në kufi, deri te arrestimi i qytetarëve më 4 korrik, gjatë protestave në Beograd. Pas protestës së 28 qershorit, ai mbajti një fjalim motivues para njësisë së tij, duke theksuar: “Presidenti na sheh. Duhet të justifikojmë besimin…”.

Sipas Radar, ai nxit nënkomandantët e tij të arrestojnë “të gjithë ata që shkelin ligjin” sipas gjykimit të tyre.

Një tjetër emër i përfshirë është Zoran “Kiki” Çauşeviq, ish-muzikant i bendit të kengetares serbe Lepa Brena, i cili nisi karrierën policore në Sektorin për Situata Emergjente dhe më vonë u bë oficer ndërlidhës i MPB-së në Athinë.
Ndryshe nga Njësia e Xhandarmërisë, kjo njësi vepron kryesisht në civil dhe është e bazuar në Beograd. Zyrtarisht i përgjigjet drejtorit të policisë dhe ministrit të brendshëm, por burimet thonë se në realitet ajo funksionon si një “polici politike” e brendshme – e gatshme për të mbrojtur interesat e pushtetit.

Veprimet e fundit të JZO-së, përfshirë arrestimet e dhunshme të qytetarëve dhe aktivistëve në civil, kanë ngritur shqetësime për formimin e një “policie brenda policisë”, e cila vepron jashtë kontrollit institucional dhe në shërbim të interesave politike.

By US2