Prishtinë 2 Maj 2026 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga sot ka filluar afati për subjektet politike për të aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Këto dy faza të rëndësishme të procesit zgjedhor përfundojnë në data të ndryshme, ndërsa për dorëzimin e listave të kandidatëve, subjektet politike do të kenë në dispozicion një periudhë më të gjatë kohore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress, se aplikimi për certifkim do të zgjasë deri më 10 maj dhe se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ndërsa kjo s’do të vlejë për partitë politike që ligji i konsideron të regjistruara automatikisht.
“Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.
Ndërkaq, deri më 12 maj, të gjitha subjektet politike duhet të dorëzojnë online listën e emrat e kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në këto zgjedhje. Sipas Elezit, procedura është e ngjashme me atë të proceseve të fundit zgjedhore.
“KQZ ka vendosur afatin 11-ditor, nga 2 maj deri më 12 maj 2026, për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandiatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha ai.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidatë i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësonin këto subjekte politike ishte 1,280.
Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 dhjetorit, KQZ certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë, që përfaqësonin 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Serbia arreston një person për zbulim të informatave për varreza masive, Hoti: E vërteta nuk fshihet
Nis gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Reçak
Serbia vazhdon diskriminimin, asnjë shqiptar nga Lugina e Preshevës mes 400 zjarrfikësve të punësuar së fundi
Sot mbahet seanca për 21 të akuzuarit për krime lufte
Mashtrim me prona në vlerë 1.55 milion euro, Prokuroria ndalon dy të dyshuar
Gjashtë trupa gjenden gjatë gërmimeve në Zubin Potok
Më 6 gusht pritet konstituimi i Kuvendit, partitë shpalosin qëndrimet pas takimit me Haxhiun
Dame Karen Pierce: Ngjarjet tragjike në Kosovë janë ndër periudhat më të errëta në histori të Evropës
Vdiq legjenda e Milanit, Franco Baresi