Prishtinë 2 Maj 2026 14:14
Liderët institucionalë dhe politikë përkujtuan sot në një akademi përkujtimore viktimat e Masakrës së Studimës, një prej ngjarjeve më të rënda të luftës në Kosovë,
Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu kujtoi 116 civilët shqiptarë të vrarë në këtë masakër, duke theksuar se krimet mbeten ende pa u ndëshkuar.
“116 civilë shqiptarë, fëmijë, gra, burra e pleq të paarmatosur, të cilët po largoheshin nga fshatrat e rrethuara për të mbetur gjallë. Masakra nuk ishte fundi i operacionit gjenocidial. Serbia nuk u mjaftua me vrasjen, donte ta linte krimin pa gjykim, edhe sot i strehon kriminelët e luftës”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se institucionet do të vazhdojnë mbledhjen e dëshmive për të gjitha masakrat e kryera gjatë luftës.
“Flasim për të gjitha masakrat ku Serbia la njerëz të vrarë. Keni jetuar me kujtime e pritje, por keni qëndruar, keni ruajtur të vërtetën, keni folur kur është dashur të dëshmohet për krimet që Serbia i ka bërë vendit tonë. Shteti do të jetë me ju në mbledhjen e dëshmive në të gjitha institucionet, edhe ato ndërkombëtare të drejtësisë. Serbia donte një Kosovë pa shqiptarë. Projekti i Serbisë dështoi nga sakrifica e martirëve, përkrahja ndërkombëtare dhe lufta e lavdishme e UÇK-së”, deklaroi Haxhiu.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ruajtja e kujtesës dhe forcimi i shtetit janë detyrime të vazhdueshme.
“E ndiejmë përgjegjësinë t’i qëndrojmë afër kësaj porosie. U vranë 116 civilë, është detyrë e të gjallëve me ruajt kujtesën. Në të gjallët kemi edhe detyra të tjera. Mos të lejojmë që në të ardhmen Kosovës t’i ndodhin të këqijat që Serbia i ka bërë popullit të Kosovës. Ta forcojmë ushtrinë, policinë e të gjitha institucionet, por edhe duke ruajtur miqësinë me Amerikën, sepse duke ruajtur aleancën me Amerikën, Serbisë ia bëjmë të pamundur të na rrezikojë”, tha Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se Studimja mbetet simbol i sakrificës dhe vuajtjes së civilëve shqiptarë.
“Në këtë vend, në këtë lum që do të jetë si emërtim ‘Lumi i gjakut’, që u la me gjakun e civilëve të pafajshëm, të cilët u masakruan vetëm pse ishin shqiptarë. Këtu dhe në të gjitha pjesët e Kosovës, ky gjak u bë liri dhe pavarësi. Ende nuk është gjetur drejtësi, e ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë”, tha Idrizi.

Koci: Edhe një qytetar i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe
Arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin-Potok
Varroset Isuf Hoxha, iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh
Kurti i bën thirrje SHBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës
Kurti: Gërmimet në Zubin-Potok do të vazhdojnë me muaj, pasi eshtrat janë të shpërndara
Kamberi: Serbia po i mohon krimet e kryera në Kosovë, kemi propozuar projekt-rezolutë për verifikimin e tyre
Fetoshi: Propaganda serbe e komplekson edhe gënjeshtrën