Prishtinë, 19 prill 2026 20:36
Hapësira e cila ndër vite ka qenë simbol i mbetjeve të industrisë së rëndë, pritet të kthehet në burim të energjisë elektrike. Në sipërfaqen e Korporatës Energjetike të Kosovës për herë të parë do të ndërtohet parku solar me kapacitet të paktën 100 MW. Fondet tashmë janë siguruar, nga rreth 103 milionë euro sa është paraparë kostoja e përgjithshme.
Në hapësirat e Korporatës Energjetike të Kosovës për herë të parë do të ndërtohet parku solar me kapacitet minimal 100 MW. Kosova tashmë ka siguruar financimin e plotë për këtë projekt me ratifikimin e marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Investime.
Projekti momentalisht është në fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për ndërtim. Planifikohet që këtë vit të nënshkruhet kontrata për ndërtim, punët të nisin vitin e ardhshëm, e në vitin 2028 planifikohet të nisë gjenerimi i energjisë elektrike. Me realizimin e tij pritet më shumë prodhim i rrymës, më pak varësi nga termocentralet, ajër më i pastër për Prishtinën e Obiliqin, si dhe tarifa më të ulëta të rrymës për qytetarët.
Nga Ministria e Ekonomisë nënvizojnë se parku solar është hap i rëndësishëm për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, i cili do të gjenerojë 152 GWh në vit, ndërsa emetimi i dyoksidit të karbonit do të ulet për së paku 140 mijë tonë në vit.
Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ekonomi e konsiderojnë të nevojshëm orientimin drejt energjisë së gjelbër.
“Projekti për panele diellore dhe projekte të tjera të cilat janë në horizont e të zhvilluara nga Ministria e Ekonomisë do ta rrisin prodhimin e gjithëmbarshëm të energjisë, e kjo na mundëson edhe të kemi energji më të lirë, shërbime më cilësore si dhe të kemi siguri në furnizim për qytetarët tanë”, deklaroi Driton Hyseni, deputet i LVV-së.
“Jashtëzakonisht mirë, e suksesshme, ne kemi mbështetur këtë çështje dhe inkurajojmë projekte të tilla kapitale gjeneruese prodhuese të energjisë së pastër. Ne jemi dakord të vazhdojmë sepse kemi mundësi dhe kapacitete”, tha Ferat Shala, deputet i PDK-së.
Parku solar do të përbëhet nga panele fotovoltaike. Kur rrezet e diellit do të bien mbi to, drita do të kthehet në energji elektrike. Si rrjedhojë, kapacitetet e KEK-ut do të përmirësohen, e sistemi energjetik do të modernizohet.
“Është hap shumë domethënës nga deputetët e Kuvendit që në këto rrethana kanë filluar të miratojnë marrëveshjet ndërkombëtare, sepse Kosova ka humbur mjaft me mosrealizim të fondeve subvencionuese që janë dhënë nga BE. Andaj fondi i dhënë nga BE është domethënës”, tha agip Skenderi, profesor në Fakultetin e Ekonomisë.
“Ne nuk po jemi në gjendje të krijojmë kapacitete të reja. Të lejojmë të vijnë investitorët e huaj dhe në këtë mënyrë do t’i mbajmë çmimet e energjisë elektrike në nivele të qëndrueshme. Nëse do të kishim kapacitetet prodhuese, do të mund të garantonim një çmim me të cilin qytetarët do të furnizohen”, theksoi Fidan Qerimi, profesor i Ekonomisë.
Parku solar do të kushtojë rreth 103 milionë euro. 33 milionë janë kredi nga Banka Evropiane për Zhvillim, 29 milionë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim, 31.7 milionë grant nga BE dhe 10 milionë fonde të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante