Prishtinë, 07.04.2026 20:10
Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se, si punonjës të Postës së Serbisë, kanë shpërndarë në mënyrë “të paligjshme” dërgesa postare.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se këta persona janë ndaluar pas një njoftimi se po shpërndanin letra.
“Morëm informacion se kishin dërgesa postare me vete, kryesisht bëhej fjalë për vendime nga gjykatat [e Serbisë]. Kjo është e paligjshme për Kosovën, letrat gjyqësore duhet të arrijnë përmes Ministrisë së Drejtësisë”, tha Elshani.
Ai shtoi se të ndaluarit janë liruar pas marrjes në pyetje dhe se me këtë rast tani po merret Departamenti për Krime Ekonomike.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar për koment Postës së Serbisë dhe po pret përgjigje.
Po ashtu, Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet brenda Postës së Serbisë se punonjësit e saj në Kosovë kanë vazhduar të punojnë pjesërisht në terren edhe pas mbylljes së institucioneve.
Institucionet e Serbisë në Kosovë konsiderohen nga autoritetet e Kosovës si paralele dhe të paligjshme, ndërsa mbyllja e tyre ka nisur në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave të bashkësisë ndërkombëtare se fillimisht duhej të gjendej një zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, të cilët kryesisht vijnë nga radhët e komunitetit serb.
Për shembull, serbët nga Kosova marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, disa prej të cilave u janë paguar në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë ose për lehonat, pensionet, ndihma sociale dhe të ngjashme.
Radio Evropa e Lirë në fillim të vitit 2025 ka publikuar edhe rrëfimin e një punonjësi në një nga institucionet e Serbisë, i cili ka deklaruar se disa ditë në javë punon edhe nga shtëpia, nga Kosova.
Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy vjetëve të fundit janë mbyllur edhe Banka Postare e Kursimeve, Banka Kombëtare e Serbisë, drejtoritë e Fondit për Sigurime Pensionale dhe Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet komunale publike, organet e përkohshme komunale dhe shumë institucione të tjera.
Beogradi zyrtar refuzon t’i mbyllë këto institucione, dhe shumicën i ka zhvendosur në zonat kufitare brenda territorit të Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më parë se me mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë rreth 5.800 persona kanë mbetur pa vendet e tyre të punës, por se ata do të vazhdojnë të marrin pagat.

Kapet në veri një veturë me targa serbe me mallra të kondrabanduara
Rast tragjik në Llaushë të Skenderajt, humb jetën një person
Zjarri përfshin fabrikën e stiroporit në Prizren, dëmi mbi 400 mijë euro Zjarri
Gjenden municion e pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në Zubin Potok
Një i vdekur nga aksidenti mes kamionit dhe veturës në Baicë të Drenasit
Arrestohet shtetasi serb në Bërnjak, tentoi t’i ofrojë ryshfet policit për kalim ilegal të gruas
“Ligji bashkon, nuk ndan”, deklarata e Kurtit nga veriu
Miratohet projektligji për shërbimet e pagesave, Murati: Ulet kostoja e shërbimeve të pagesave
Kurti në veri të Kosovës, merr pjesë në hapjen e filialit të ATK-së
Çmimet e naftës bien ndjeshëm pas marrëveshjes për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit