Prishtinë, 07.04.2026 19:30
Luka Misetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Gjykatës Speciale që ta shpallë të pafajshëm dhe ta lirojë menjëherë klientin e tij, në versionin e dosjes përfundimtare gjyqësore, të dorëzuar fillimisht si konfidenciale më 19 janar 2026.
Së fundmi, më 27 mars, mbrojtja e Thaçit dorëzoi “versionin e redaktuar publik të dosjes përfundimtare gjyqësore”, i cili është publikuar edhe nga gjykata.
Avokati Misetiq, ndër të tjera, ka thënë se Prokuroria e Hagës ka bërë përpjekje për ta rishkruar historinë e Kosovës, duke e transformuar UÇK-në në një Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët.
“Përpjekja e ZPS-së për të rishkruar këtë histori – për të transformuar një luftë çlirimtare, të mbështetur nga demokracitë kryesore të botës, në një NPK – nuk mbështetet nga faktet”, ka thënë Misetiq në dosjen përfundimtare.
Në vazhdim, ai ka theksuar se jeta dhe karriera e Hashim Thaçit i janë kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe se dënimi i tij do të ishte një dështim i rëndë i drejtësisë.
“Jeta dhe karriera e Thaçit i janë kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dënimi i tij, bazuar në një teori që injoron mungesën e tij fizike, mungesën e kontrollit efektiv ose lidhjes me paraburgimet, si dhe përpjekjet e tij të dokumentuara për të promovuar paqen, do të ishte një dështim i rëndë i drejtësisë”, thuhet nga mbrojtja e Thaçit.
“Prokuroria zgjodhi të ndërtonte një rast që mbështetet në mënyrë të konsiderueshme në deklaratat e kundërshtarëve të ashpër politikë të Thaçit pas formimit të TFHS-së dhe ZPS-së, të cilët kishin motive të dukshme për ta diskredituar politikisht përmes dëshmive të rreme”, thuhet ndër të tjera në dosjen përfundimtare.
Mbrojtja e Thaçit i ka kujtuar trupit gjykues se Gjykata Speciale ishte krijuar për të hetuar akuzat e senatorit Dick Marty, raport i cili, sipas saj, nuk ishte gjë tjetër veçse produkt i një fushate dezinformimi rus.
“I themeluar nga Kuvendi i Kosovës, kryesisht për shkak të përpjekjeve politike të vetë Thaçit për të hetuar dhe ndjekur penalisht akuzat kryesore në ‘dokumentin themelor’ të gjykatës, të ashtuquajturin ‘Raporti i Marty-t’, procesi ligjor ka vërtetuar se akuzat e pabaza për ‘trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore’ nuk ishin gjë tjetër veçse produkt i një fushate dezinformimi rus, siç konfirmohet nga gjenerali Wesley Clark”, thuhet në deklaratën e Misetiqit.

William Walker u shkruan liderëve politikë, propozon Faton Bislimin për President të Kosovës
Qeveria ndan mbi 4.3 milionë euro për furnizim me barna esenciale
Mbetjet në Zubin Potok shtojnë presionin mbi Beogradin për hapjen e arkivave
Seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit më 7 shtator
Komisioni për të Zhdukurit: Çdo rezultat është një hap drejt së vërtetës për familjet
Kosova forcon kontrollin në turizëm, nuk tolerohen udhërrëfyesit pa licencë
Përmbytjet katastrofike në kufirin Nepal-Tibet vrasin të paktën 165 persona