Prishtinë, 01.04.2026 18:43
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se qasja e institucioneve ndaj korrupsionit është e pakompromis, duke theksuar se parandalimi dhe luftimi i tij mbeten zotim i përditshëm.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës ka vizituar Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ku me drejtorin Yll Buleshkaj dhe ekipin e tij ka diskutuar mënyrat për të forcuar transparencën, integritetin dhe llogaridhënien në institucionet publike.
“Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë. Parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, në të gjitha format e tij, është zotim i yni i çdoditshëm, absolut dhe i pakompromis”, ka deklaruar Gërvalla.
Sipas saj, çdo mekanizëm parandalues dhe çdo hap ligjor që ndërmerret ka një qëllim të qartë, parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe llogaridhënie për abuzuesit.
Gërvalla ka thënë se zbatimi i rreptë, me guxim e vendosmëri i legjislacionit, mbetet çelësi për një sistem publik të fortë dhe me llogaridhënie.
Në deklaratën e saj, ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është folur edhe për mundësinë e avancimit të kornizës ligjore, normimin e standardizuar dhe profesional të konfliktit të interesit, si dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në iniciativa ndërkombëtare kundër korrupsionit.
Gërvalla ka theksuar se nënshkrimi dhe ratifikimi i Traktatit Rajonal për Shkëmbimin e të Dhënave, njëra ndër temat e diskutimit, do të mundësojë verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë jashtë vendit, duke rritur transparencën dhe përgjegjësinë në nivel ndërkufitar.
Ajo ka shtuar se Ministria e Drejtësisë bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet që janë pjesë e reformës në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, dhe se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej.
“Si Ministre e Drejtësisë, mbetem e vendosur që parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij në çdo formë të shfaqjes së tij të jetë i pakompromis”, ka deklaruar Gërvalla.
Në fund, ajo ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të kenë institucione të besueshme, transparente dhe të forta, që nuk i tolerojnë shkeljet e ligjit dhe shkelësit, si dhe një shtet ku sundimi i ligjit nuk është vetëm parim, por praktikë e përditshme.

Protestë në Prishtinë kundër vrasjes së grave, kërkohet që femicidi të bëhet vepër e veçantë penale
Mashtrim në emër të Policisë dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike, qytetarëve u kërkohet kujdes
Qeveria publikon të arriturat e mandatit 2021–2026, thekson rënien e papunësisë në 10.8%
Një muaj pas aksidentit në Gjakovë, e mitura ndërron jetë
Mbrojtja e Thaçit rezervon të drejtën për apelimin e dënimit prej 17 muajsh
Sveçla: Asnjë përgjegjësi për vrasjen e Arlindës të mos mbetet pa u hetuar
Sveçla: Është avancuar sovraniteti në veri, Shala vlerëson rolin e Policisë dhe Agjencisë Kosovare të Intelegjencës