Prishtinë 01 Prill 2026 11:11
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më 01.04.2026, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave me motivacionin: Për përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
Një dekorim i tillë vie një ditë pasi Kosova pësoi humbje nga Turqia, duke humbur kështu edhe rastin për t’u kualifikuar për Botërorin 2026.
Të pranishëm gjatë dekorimit, ndër të tjerë, ishin futbollisti Vedat Muriqi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe trajneri i Kosovës, Franco Foda.
“Me nderin më të lartë të Republikës të Kosovës, dekorojmë kombëtaren e Republikës së Kosovës në futboll. Një ekip që me përkushtim, diciplinë, dhe me shpirt të jashtëzakonshëm garues ka përfaqësuar në mënyrën më të denjë të mundshme shtetin tonë në arenën ndërkombëtare”- u shpreh Osmani gjatë ndarjës së dekoratës.
Osmani tha se Kombëtarja e Kosovës në futboll është shembulli më i mirë sesi talenti, puna dhe besimi i palëkundur mund të shndërrohen në histori suksesi dhe burim frymëzimi për secilin qytetar të Kosovës.
E para e vendit, tha se përmes paraqitjes së tyre, lojtarët e Kombëtares kanë ngritur lartë flamurin e Kosovës duke arritur suksese të rëndësishme edhe me pjesëmarrjen në bazën finale të kualifikimit për Kampionatin Botëror 2026.
“Me këtë dekoratë Republika e Kosovës nderon punën, mundin, djersën të secilit prej jush, e nderon rezultatin tuaj. Por mbi të gjitha e nderon krenarinë që ia keni dhënë secilit shqiptar pavarësisht se ku jeton” – tha ajo.
Pavarësisht rezultatit të djeshëm, Osmani i tha Kombëtares së Kosovës se do të mbesin në piedestalin më të lartë të Republikës të Kosovës për krenarinë që i kanë dhënë popullit kosovar.
Kurse, kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pasi pranoi dekoratën tha se vlerësimi nga shteti është shumë i çmueshëm.
“Ne Medaljen e shtetit tonë, zemrat e shtetit tonë është më e rëndësishme. Ne si Federatë dhe si futboll jemi shumë të lumtur që kemi pas një bashkëpunim kaq të mirë dhe aq të afërt me Presidenten tonë, e cila na u ka gjet gjithëherë, me prezencën e saj edhe kur kemi qenë mirë, edhe kur kemi qenë keq”- tha Ademi.
Ai tha se një ditë edhe ata do të vijnë me një medalje të Kampionatit Europian.
Kurse, futbollisti Vedat Muriqi që ishte kapiten në lojën kundër Turqisë, duke falënderuar presidenten Vjosa Osmani, tha se po ndihen të pikëlluar për humbjen që pësuan nga Turqia.
“Nuk e kemi planifiku me humb. As biletën kthyese s’e kam. Kështu, ka qenë një goditje e rëndë për neve. Edhe pse besoj që nuk e merituam humbjen. Kemi luftuar. Kemi bërë çmos për të bërë ëndërrën realitet. Në emër të ekipit, falënderoj shtetin e Kosovës, juve presidente, juve gazetarë dhe Federatën e Futbollit…”- tha Muriqi.
Pas humbjes së ndeshjes së mbrëmshme ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se fakti që Kosova ishte kaq pranë kualifikimit tregon “sa afër madhështisë jemi.”
“Dhe shpejt, aty do të jemi. Andaj edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë! Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit dhe stafit për angazhimin e madh në secilën ndeshje”- ka shkruar ai, duke postuar në Facebook disa fotografi nga ndeshja.
Kurti postimin e filloi me pikëllimin se të gjithë janë ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu”- ka shkruar ai, më 01.04.2026.
Ai u shpreh mirënjohës ndaj lojtarëve të Kosovës për emocionet e jashtëzakonshme duke shtuar se Kosova do jetë përherë mirënjohës ndaj tyre.
Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur të kualifikohet për Kupën e Botës 2026 pasi më 31.03.2026 është mposhtur nga Turqia në ndeshjen vendimtare të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Golin e vetëm dhe të fitores për mysafirët e shënoi K. Akturoglu në minutën ’53.
Kampionati Botëror në futboll do të zhvillohet në tri shtete: SHBA, Kanada dhe Meksikë.
