Prishtinë, 30.03.2026 18:24
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, deklaroi se mbërritja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Kroaci nuk është e mundur në këtë kohë, për shkak të deklaratave dhe veprimeve të tij të fundit. Për këtë arsye, ai vendosi të anulojë takimin e Procesit Brdo-Brioni.
“Deklaratat dhe veprimet politike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilat i kemi parë në ditët dhe javët e fundit, janë në kundërshtim të plotë me qëllimin e Procesit Brdo-Brioni, dëmtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”, thuhet në deklaratën me shkrim të Milanoviqit.
Sipas tij, në rrethana të tilla nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme për mbajtjen e takimit, ndërsa ardhja e Vuçiçit në Kroaci – e cila pritej të ishte nikoqire e Procesit Brdo-Brioni në maj të këtij viti – nuk është e mundur, bëri të ditur kabineti i presidentit kroat.
Në njoftimin për shtyp rikujtohet se Kroacia dhe Sllovenia, si vende anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë iniciuar Procesin Brdo-Brioni me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore.
Si bashkëkryetar i këtij procesi, Milanoviq vendosi të anulojë takimin e planifikuar në Kroaci dhe ka informuar krerët e shteteve pjesëmarrëse për këtë vendim.
Takimi i ardhshëm i krerëve të shteteve të Procesit Brdo-Brioni do të mbahet pasi të krijohen kushtet e nevojshme, pas konsultimeve ndërmjet Milanoviqit dhe presidentes së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e cila është gjithashtu bashkëkryetare e këtij procesi.
Në muajt e fundit, Vuçiç ka akuzuar shpesh Kroacinë, pa paraqitur prova, për “ndërhyrje brutale” në punët e brendshme të Serbisë, duke pretenduar se kundërshtarët e tij politikë në vend përbëjnë “mbështetjen kryesore logjistike për përmbysjen e Serbisë”.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti