Prishtinë, 21 mars 2026 19:51
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka mohuar raportimet se Shqipëria e ka shpallur “non-grata” ministren e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla.
Të shtunën u pretendua se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka urdhëruar ambasadorët e Shqipërisë në rajon që të mos krijohet asnjë mundësi që Gërvalla të ketë takim zyrtar në Shqipëri. Pretendimi ishte se porosia më së shumti i ishte drejtuar Malajt. Sipas pretendimeve, Gërvalla u shpall “non-grata” sepse kritikoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për opinionin e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
E Malaj, në një përgjigje për KOHËN, ka mohuar gjithçka. Ai ka thënë se raportet Shqipëri-Kosovë janë të qarta.
“Ambasada nuk konfirmon asgjë të tillë. Në media qarkullojnë shpesh hamendësime nga më të ndryshmet, të cilat ne nuk i komentojmë më tej. Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim të tillë. Marrëdhëniet tona me Kosovën dhe me qeverinë e saj janë të qarta, të forta dhe gjithëpërfshirëse, siç është theksuar së fundmi edhe nga Ministri Hoxha në bisedën e zhvilluar me Ministrin Konjufca”, ka thënë ai.
Më 19 mars, ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, pati një bisedë telefonike me homologun nga Kosova, Glauk Konjufca. Aty Hoxha, sipas njoftimeve zyrtare, tha se Kosova është dhe do të mbetet prioritet i përhershëm i politikës së jashtme të Shqipërisë.
“Pata sot një bisedë shumë të ngrohtë dhe miqësore me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca. Rikonfirmuam marrëdhënien tonë vëllazërore, lidhjen e veçantë e të patjetërsueshme mes dy vendeve tona, dhe ritheksova se #Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës sonë të jashtme. Ndamë angazhim për thellimin e mëtejshëm të #partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, pati thënë Hoxha.
Ai pati bërë të ditur po ashtu se me Konjufcën janë dakorduar për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe për avancimin e projekteve madhore me interes kombëtar.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë