Prishtinë, 20 mars 2026 21:31
Për gjitha kërcënimet, fyerjet e përndjekjet, familja e vetme shqiptare që jeton në Surdullicë të Serbisë, ka deponuar kallëzim për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mostolerancës kombëtare”. Kjo familje, për ditë të tëra është përballur me protesta e fushatë online të serbëve, pasi anëtari i tyre shkaktoi aksident me fatalitet ku humbi jetën një 40-vjeçar serb.
Familja e 20-vjeçarit shqiptar, që javë më parë shkaktoi aksident me fatalitet në Surdullicë e ku humbi jetën një 40-vjeçar serb, ka bërë kallëzim penal ndaj disa qytetarëve serbë për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mostolerancës kombëtare”.
Kallëzimi është deponuar në Prokurorinë në Vranjë dhe është shtyrë pas protestave e fushatës online të banorëve serbë për dëbimin e kësaj familje nga Surdullica pas aksidentit të shkaktuar nga 20-vjeçari me inicialet B.F.
“Në Prokurorinë e Lartë Publike në Vranjë, nga ana e një anëtari të familjes së të dyshuarit për aksidentin e ndodhur, përmes një zyre avokatie nga Vranja, është paraqitur kallëzim penal kundër disa personave, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Nxitja e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare’ nga neni 317 i Kodit Penal. Kallëzimi në fjalë është përcjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, në Departamentin Special për Luftimin e Krimit të Teknologjisë së Lartë, pasi i gjithë materiali i propozuar si provë gjendet në rrjetet sociale, për çka kemi qenë të mendimit se kjo prokurori është kompetente për të vepruar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Vranjë.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e mediave të Kosovës lidhur me rastin.
E në Prokurorinë Publike në Vladiçin-Han kanë bërë të ditur se të dyshuarit B.F. i është vazhduar masa e paraburgimit, teksa hetimet po vazhdojnë.
“Ju njoftojmë se të dyshuarit B.F. nga fshati Planija, Prizren, i është vazhduar paraburgimi edhe për 30 ditë. Në cilësinë e dëshmitares nuk është marrë në pyetje vajza e të ndjerit J.R. nga fshati Zaguzhanje, komuna e Surdulicës. Gjithashtu, nuk janë kryer të gjitha ekspertizat e nevojshme, ndërsa është nxjerrë urdhër për kryerjen e ekspertizës së komunikacionit me qëllim të përcaktimit të lëshimeve që janë në lidhje të drejtpërdrejtë me shkakun e aksidentit. Konstatimi dhe mendimi i ekspertit të fushës së komunikacionit ende nuk i është dorëzuar prokurorisë”, ka deklaruar prokuroria në Vladiçin-Han.
Ky aksident me fatalitet, shpejt është kthyer në çështje etnike. Për disa ditë, policët u detyruan të ruajnë biznesin e familjes shqiptare, ndërkohë u bë fushatë që ai të bojkotohet nga banorët serbë.
Për situatën pati reaguar edhe komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, Millan Antonijeviq. Ai pati theksuar se thirrjet për dëbim dhe kërcënimet ndaj familjes me kombësi shqiptare përbëjnë shkelje serioze të së drejtës për barazi.
Në Surdullicë të Serbisë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë jetojnë rreth 10 mijë banorë, prej të cilëve vetëm gjashtë janë shqiptarë, të gjithë pjesëtarë të një familjeje.

Sveçla pas dënimit të Gjukanoviqit: Institucionet do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër spiunazhit
Miratohet marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s
Haxhiu paralajmëron për sonte seancën për presidentin
Spiunja serbe Jelena Gjukanoviq dënohet me 6 vjet burgim
Kuvendi miraton marrëveshjen me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”
BIA serbe manipuloi raportet e OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviqit
Feride Rushiti merr vetëm 63 vota, seanca për presidentin vazhdon nesër
Seancë e jashtëzakonshme për presidentin në ora 20:30, propozohen Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha
Konjufca e Mulhaxha-Kollçaku tërheqin kandidaturat për president
Iranianët i paraqesin SHBA-së një propozim të ri