Prishtinë 25 Shkurt 2026 12:00
Ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme shqiptare, gjatë konferencës për media pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca. Spiropali po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ajo e cilësoi vizitën si një moment të rëndësishëm, duke theksuar se është një nder dhe përgjegjësi që vizita e saj e parë si ministre për Evropën dhe Punë të Jashtme të zhvillohet në Prishtinë, menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.
“Ishte një nder i veçantë dhe një përgjegjësi e thellë që vizitën time të parë si ministre për Evropën dhe Punë të Jashtme ta bëj këtu në Prishtinë, menjëherë pas formimit të qeverisë së re, të cilës i uroj shumë suksese në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e shtetit të Kosovës dhe në mirëqenien e qytetarëve të saj”, tha Spiropali.
Ajo shtoi se kjo vizitë vjen pas vizitave të fundit në Kosovë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit Bajram Begaj, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qartë të prioritetit që Shqipëria i jep Kosovës.
“Për ne Kosova nuk është një zgjedhje protokolli, është një zgjedhje historie, është zgjedhje politike, është deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar”, u shpreh ajo.
Spiropali theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë thjesht kapitull i zakonshëm i diplomacisë, por vijimësi e një rrugëtimi të përbashkët të skalitur në sakrificë, në qëndresë dhe në vendosmëri historike për përparim kombëtar.
“Viti 1999 ishte momenti kur bota pa padrejtësinë, por pa edhe dinjitetin e një populli që kërkonte të jetonte i lirë. Viti 2008 ishte momenti kur Kosova e ktheu aspiratën në shtetësi dhe fitoi vendin e saj në hartën e botës. Viti 2026 duhet jetë momenti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe i mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie historike për vendin e saj në Evropë. Ne nuk ndërtojmë një marrëdhënie nga e para, sigurisht, ne po forcojmë një bosht kombëtar, një aleancë të natyrshme mes dy shteteve sovrane me dy republikave motër, mes dy shteteve që kanë një marrëdhënie vëllazërore me njëri-tjetrin, që ndajnë histori, identitet, sakrificë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen”, nënvizoi Spiropali.
Ajo shtoi se Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për të mbështetur Kosovën në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Të dy qeveritë tona prej kohësh kanë zgjedhur një politikë bërje të bazuar te realiteti. Realiteti i një kohe, realiteti i një populli, realiteti i një shteti që ekziston, që funksionon dhe që nuk është objekt debati, por subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Kosova është prioritet absolut i politikës të jashtme e Shqipërisë, por e lidhur shumë ngushtë me gjitha zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo nuk është retorikë solidariteti dhe as formulë diplomatike, është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejt i Shqipërisë, përveçse është dëshirë e jonë e zemrës. Çdo njohje e re, çdo anëtarësim i ri, çdo hap drejt konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës është investim në sigurinë, në dinjitetin, në stabilitetin e të gjithë hapësirës tonë shqiptare, por edhe të rajonit. Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik”, tha Spiropali.
Ajo tha se Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik, në koordinim të vazhdueshëm, së bashku krahë për krah, edhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Shembull i bashkëpunimit për anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një dëshmi e qartë se si mund të punojmë së bashku dhe me efikasitet, dhe ai anëtarësim, siç e thamë edhe në takim, jo që po kërkohet prej nesh por sepse meritohet nga shtetit i Kosovës. Barazia ndërkombëtare e Kosovës nuk është çështje simpatie por çështje drejtësie, respekti për realitetin politik të krijuar me sakrificë dhe punë çdo ditë”, tha Spiropali.
Sipas saj, integrimi evropian i Kosovës është testi i koherencës që vet Bashkimi Evropian është me vlerat që ai i përfaqëson.
“Kosova ka dëshmuar qartësi euro – atlantike, përkushtim ndaj reformave dhe stabilitet institucional, e ky përkushtim duhet të përkthehet në vendime konkrete. Sigurisht heqja e masave shtrënguese ishte pa diskutim një domosdoshmëri dhe ne e kemi bërë të qartë se masat shtrënguese kundër Kosovës ishin kundërproduktive dhe besoj që tani ka ardhur koha që ta themi me plotë gojën që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat pa standarde të dyfishta dhe pritje të pafundme”, tha Spiropali.

Kosova në kongresin më të madh të endokrinologjisë në SHBA, nëpërmjet dr. Venera Berisha-Muharremi
Kosova hap objektin e përhershëm të Ambasadës në Londër
Kosovë-SHBA-NATO, nismë e re për forcimin e ndërveprimit ushtarak
Begaj: Shqipëria mbështetje e pakushtëzuar për Kosovën
Qeveria e Kosovës ndan mjete buxhetore për disa projekte
Nxënësit e epokës së AI-së mësojnë me kurrikulën e para një dekade
Shpallet gjendje emergjente në sektorin e mbeturinave në Fushë Kosovë
Monedha false 2-euroshe rikthehen në qarkullim, një bankë raporton 225 raste