Prishtinë, 25 shkurt 2026 12:02
Kosova, në periudhën e saj të pas-clirimit dhe pavarësisë nga Serbia, është drejtuar nga figura të shquara, dhe jo aq të shquara politike, që kanë ushtruar postin e Presidentit.
Këtë pozitë e kanë mbajtur gjithsej 7 personalitete. Dy nga to ishin gra, e pesë burra. Po ashtu, dy nga ta e mbajtën pozitën për faza shumë të shkurta – vetëm disa muaj (Jakup Krasniqi e Behgjet Pacolli) e pesë tjerët për disa vite – Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe Vjosa Osmani Sadriu.
Ata kanë lënë gjurmë të ndryshme në proceset e ndërtimit të shtetit, ndërsa secili mandat ka shënuar momente historike të rëndësishme.
Ibrahim Rugova (4 mars 2002 – 21 janar 2006)
Dr. Ibrahim Rugova, i konsideruar, sidomos nga ithtarët e tij nga partia LDK si “Ati i Kombit” dhe figura qendrore e lëvizjes për pavarësi gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar, ishte presidenti i parë i Kosovës në periudhën pas-luftës, duke shërbyer nga marsi 2002 deri më 21 janar 2006. U zgjodh në këtë pozitë dhe e la atë, pas vdekjes, gjatë kohës kur vendi ishte nën administrimin ndërkombëtar të OKB-së.
Rugova njihej si politikan që angazhohej në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës së pasluftës. Ai krijoi Grupin e Unitetit, që u përball në negociatat për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga Marti Ahtisaari, e të cilat përfunduan me propozimin e vitit 2007 për pavarësi të mbikëqyrur. Rugova nuk e pa shpalljen e pavarësisë, sepse vdiq më 21 janar 2006.
Fatmir Sejdiu (10 shkurt 2006 – 27 shtator 2010)
Shuarja e Rugovës ia dha mundësinë Fatmir Sejdiut të pasojë atë në pozitën e presidentit, të cilin e mbajti nga 10 shkurt 2006 deri më 27 shtator 2010. Gjatë mandatit të tij, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, mori shumë njohje ndërkombëtare, forcoi pozicionin e vet si vend i pavarur dhe mori vlerësim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010. Ai dha dorëheqje në shtator 2010 pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për papajtueshmëri të funksioneve.
Jakup Krasniqi (27 shtator 2010 – 22 shkurt 2011)
Jakup Krasniqi ushtronte detyrën e presidentit si kryetar i Kuvendit, për rreth 4 muaj, pasi u krijua boshllëk institucional.
Behgjet Pacolli (22 shkurt 2011 – 30 mars 2011)
Behgjet Pacolli u zgjodh president më 22 shkurt 2011, por mandati i tij u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese për shkelje procedurale dhe qëndroi në detyrë vetëm pak më shumë se 30 ditë.
Atifete Jahjaga (7 prill 2011 – 7 prill 2016)
Atifete Jahjaga u zgjodh presidente në prill 2011 dhe e mbajti këtë pozitë për një mandat të plotë kushtetues 5-vjeçar. Ajo do të mbahet mend si presidentja e parë grua e Republikës së Kosovës dhe e para që përfundoi mandatin e plotë.
Hashim Thaçi (7 prill 2016 – 5 nëntor 2020)
Hashim Thaçi, i njohur për rolin e tij gjatë luftës së Kosovës dhe si një nga figurat kryesore politike pas vitit 1999, u votua si president më 7 prill 2016. Ai dha dorëheqje më 5 nëntor 2020 pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Vjosa Osmani (4 prill 2021 – sot)
Pas dorëheqjes së Thaçit, Vjosa Osmani u bë presidente në detyrë dhe më pas u zgjodh presidente me fuqi të plota më 4 prill 2021. Ajo është gruaja e dytë presidente e Kosovës dhe mandati i saj vazhdon aktualisht.
Sipas Kushtetutës, Presidenti i Kosovës është Kreu i Shtetit, përfaqëson vendin ndërkombëtarisht, nënshkruan ligje dhe udhëheq politikën e jashtme, ndërsa zgjedhja është indirekte nga Kuvendi dhe mandati zgjat pesë vjet.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës