Prishtinë 25 Shkurt 2026 11:31
Libri “Hallka më e Fortë” u promovua në kuadër të takimit të Delegacionit për marrëdhënie me Kosovën, me thirrje për drejtësi për të mbijetuarat
Në ambientet e European Parliament në Bruksel u prezantua libri “Hallka më e Fortë: Një histori gojore e të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë”, i autoreve Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja. Aktiviteti u organizua nga Embassy of the Republic of Kosovo in Brussels, në bashkëpunim me Delegacionin e Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Kosovën, transmeton albinfo.
Prezantimi u zhvillua në kuadër të takimit të rregullt të delegacionit, i cili nisi me një këmbim mendimesh mes eurodeputetëve dhe ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Në pjesën e parë të sesionit, nën kryesimin e eurodeputetit kroat Davor Ivo Stier, ambasadori Bajrami informoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë organizimin e zgjedhjeve, procesin e formimit të institucioneve, miratimin e marrëveshjeve me European Union, buxhetin dhe progresin në integrimin evropian.
Ai theksoi orientimin strategjik të Kosovës drejt vlerave euroatlantike dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes së institucioneve evropiane për aspiratat e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Në pjesën e dytë të takimit, kushtuar promovimit të librit, morën pjesë autorja Anna Di Lellio dhe znj. Kadire Tahiraj, kontribuuese në hulumtimin e rrëfimeve dhe drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas. Ato folën për historitë gojore të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke nxjerrë në pah krimet e rënda të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile shqiptare, veçanërisht ndaj grave.
Gjatë diskutimeve u theksua se drejtësia ende mungon për mijëra gra të dhunuara gjatë luftës, ndërsa u nënvizua se askush nuk është dënuar për këto krime të rënda. Autorja Di Lellio theksoi se ndjekja e drejtësisë mbetet thelbësore, sidomos në një kohë kur përdorimi i dhunës seksuale si armë lufte vazhdon të përsëritet edhe në konflikte të tjera, përfshirë luftën në Ukrainë.
Aktiviteti në Parlamentin Evropian u vlerësua si një hap i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e kujtesës dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën e drejtësisë dhe përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës