Prishtinë 19 Shkurt 2026 14:11
Lituania ka hapur konsullatën e saj në Kosovë, teksa kjo ngjarje është parë si kapitull i ri në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, para të pranishmëve u drejtua ambasadori jorezident i Lituanisë për Kosovën, Eduardas Borisovas, i cili theksoi se hapja e konsullatës përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit institucional, ekonomik dhe kulturor. Ai nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë për integrimin evropian të Kosovës dhe për konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare.
Të pranishmëve iu drejtua edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e cilësoi këtë akt si dëshmi të besimit të ndërsjellë dhe të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Sipas tij, thellimi i marrëdhënieve parlamentare dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e reformave demokratike mbetet prioritet i përbashkët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se prania konsullore do të lehtësojë komunikimin institucional dhe do të forcojë koordinimin në çështje me interes të përbashkët.
Ndërsa konsulli i nderit, Bashkim Zeqiri, u shpreh i nderuar për besimin e dhënë dhe u zotua se do të punojë për promovimin e interesave të ndërsjella, duke ndihmuar në ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi në ekonomi, arsim, kulturë dhe investime.
Hapja e kësaj konsullate përfaqëson jo vetëm një prani diplomatike më të fuqishme të Lituanisë në Kosovë, por edhe një sinjal të qartë për përkushtimin e dy vendeve drejt një partneriteti afatgjatë, të bazuar në respekt, solidaritet dhe vizion të përbashkët evropian.

Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Sveçla: Kosova mbetet partner serioz i Europol-it
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve