Prishtinë, 17 shkurt 2026 15:14
Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova janë mbledhur në Prishtinë, në këtë përvjetor të 18-të të pavarësisë, për t’u dhënë mbështetje ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ismail Tasholli nga iniciativa “Liria ka emër” ishte i pari që mbajti fjalën në marshin “Drejtësi, jo politikë”. Ai tha se kur bëhet fjalë për UÇK-në, nuk ka ndarje e as poste.
“Aty jemi të gjithë bashkë. Aty jemi bijtë dhe bijat e një historie që na ka bashkuar në momentet më të vështira. Ushtria Çlirimtare nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë, dhe për atë themel nuk flasim me dallime, por me një zemër, nga zemra”, tha ai para mijëra marshuesve.
Tasholli theksoi se në çdo fshat e qytet ku kanë shkuar, një fjalë ka mbizotëruar mbi të gjitha: UÇK.
“Ka qenë fjala e nderit, fjala që na ka bashkuar, fjala që ka mbushur sytë me lot dhe zemrat me krenari. Nuk ka pasur shtëpi e as shesh ku nuk e kemi parë emrin e Ushtrisë Çlirimtare. E kemi parë me sytë tanë sa shumë e do ky popull UÇK-në si simbol, si sakrificë, si themel të lirisë, si pjesë të identitetit tonë”, tha ai.
Tasholli shtoi se thirrjet për drejtësi nuk janë kundër askujt.
“Thirrjet tona për drejtësi, e jo për politikë, nuk janë kundër askujt. Ato janë për dinjitetin tonë kolektiv. Ne nuk mund të pranojmë që proceset që zhvillohen në emër të popullit të Kosovës të përdoren për të barazuar agresorin me viktimën apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës sonë”, tha ai.
Ndërkaq, Vasfije Krasniqi-Goodman tha se populli i Kosovës dhe gjeneratat e ardhshme janë mirënjohëse për dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata që kontribuan për lirinë e vendit.
Ajo tha se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe të tjerët duhet të lirohen, sepse ata mbrojtën popullin e Kosovës gjatë luftës përballë pushtuesit serb.
Muhamer Ibrahimi, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dizajnues i flamurit të Kosovës, tha se sot nuk janë mbledhur vetëm për festë, por edhe për shqetësim, pasi po gjykohen liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ata që qëndruan dhe luftuan për lirinë e vendit.
“Kemi të drejtë të kërkojmë që të mos rishkruhet historia e Kosovës. Ata në Hagë nuk janë vetëm; pas tyre qëndron e gjithë historia dhe i gjithë populli i Kosovës. Kosova nuk u ndërtua nga heshtja, por nga sakrifica dhe lufta”, tha Ibrahimi, përcjell Veritasinfo
Shqipe Krasniqi, veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se marshimi i sotëm nuk është vetëm protestë, por ndërgjegje dhe thirrje.
“Është thirrje e nënave që presin për vajzat dhe djemtë e tyre, thirrje e luftëtarëve që sakrifikuan shumë për lirinë, thirrje e të gjithëve që kontribuuan për këto ditë që po i jetojmë bashkë me gjeneratat e reja. Ne kërkojmë drejtësi të paanshme. Drejtësia duhet të jetë e drejtë, e barabartë dhe e pandikuar. Prania jonë sot këtu, për bashkëluftëtarët e mi, është mesazh për secilin që dyshon në rezistencën tonë”, tha Krasniqi.
Çlirim Haziri, djali i Xhavit Hazirit – dëshmor i lirisë së Kosovës – tha se ata që nuk janë më në mesin tonë janë çlirimtarët e Kosovës dhe lirisë së saj.
“Kur preket sakrifica, ngrihemi të gjithë bashkë. 17 Shkurti nuk është vetëm festë; është betim se do ta mbrojmë me dinjitet luftën çlirimtare të Kosovës. Sot jemi një zë që nuk do të ndalet për drejtësi. Liri për Hashim Thaçin, për Jakup Krasniqin, për Kadri Veselin, për Rexhep Selimin, liri për të gjithë të tjerët”, tha Haziri.

Hetemi: Mbi 80% e shqiptarëve të vrarë në luftë kanë qenë civilë
12.230 të vrarë në luftën e Kosovës, Instituti fton qytetarët të plotësojnë listën e viktimave
Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte në Zubin-Potok
Ministria e Arsimit ndan mbi 103 mijë euro për abetaret e diasporës
Haxhiu për gërmimet në Kalludër: Zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit të të zhdukurve
Publikohet lista preliminare e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë
Aksidenti i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, shtatë persona të lënduar
Haxhiu kërkon dënimin e retorikës serbe