Prishtinë, 10 shkurt 2026 21:54
NATO-ja po i kushton vëmendje të madhe Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për shkak të trendeve shqetësuese të viteve të fundit, ka deklaruar një zyrtar i aleancës veriatlantike, duke theksuar se liderët e vendeve të këtij rajoni mbajnë përgjegjësi të madhe për ruajtjen e stabilitetit.
Duke folur për gazetarë nga Ballkani Perëndimor në Bruksel, zyrtari ka thënë se rajoni ka rëndësi strategjike për aleancën dhe se NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit afatgjatë, duke nënvizuar se “nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë në rajon”, transmeton “N1-shi” serb.
“Shohim disa trende shqetësuese në rajon, sidomos në vitet e fundit, gjë që kërkon monitorim të kujdesshëm të zhvillimeve”, ka thënë zyrtari, duke rikujtuar se sulmi terrorist në Kosovë gjatë vitit 2023 në Banjskë shkaktoi shqetësim të madh tek aleatët, pasi ato nuk ndikojnë vetëm në Kosovë, por kanë potencial për pasoja më të gjera rajonale.
Fushatat e dezinformimit, kërcënimet hibride, tensionet politike, retorikën përçarëse dhe mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë tjerë faktorë shtesë shqetësues në Ballkanin Perëndimor, sipas këtij zyrtari.
“Ne nuk shohim potencial për përshkallëzim, të paktën jo në këtë moment, por shohim shumë arsye për të qenë të kujdesshëm, të angazhuar dhe për të vazhduar monitorimin e situatës, gjë që NATO-ja po e bën dhe do të vazhdojë ta bëjë”, theksoi ai.
Sipas zyrtarit, zhvillimet në rajon janë të ndërlidhur me faktorë më të gjerë, pasi Ballkani Perëndimor është i ekspozuar edhe ndaj trendeve dhe kërcënimeve të jashtme, madje në disa raste edhe më i cenueshëm për shkak të brishtësisë politike dhe të sigurisë.
“NATO-ja, si aktor stabilizues, së bashku me aktorët e tjerë ndërkombëtarë, ka arsye të jetë më e kujdesshme dhe më e angazhuar në rajon”, ka thënë ai.
Zyrtari ka theksuar se NATO-ja, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar, mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por shtoi se këto nuk mund të arrihen pa angazhimin e liderëve vendorë.
“Politikanët dhe liderët e vendeve të rajonit kanë përgjegjësi të madhe për ruajtjen e stabilitetit në vendet e tyre. Prandaj u bëjmë thirrje liderëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur prosperitet, paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe përparim në reforma dhe proceset e integrimit”, deklaroi ai, para takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që do të mbahet më 12 shkurt.
Ai rikujtoi se misioni i KFOR-it aktualisht ka mbi 4,600 pjesëtarë nga 33 vende dhe se po jep një “kontribut të prekshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Megjithatë, sipas tij, zgjidhja për problemet në rajon nuk është ushtarake, por politike. Për këtë arsye, NATO-JA mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së, duke shpresuar në përparim të shpejtë, pasi kjo është kyçe për stabilitetin afatgjatë.
“Zgjidhja e qëndrueshme varet jo vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por mbi të gjitha nga aktorët në rajon, të cilët duhet të ndërmarrin hapa konkretë dhe kompromise”, ka përfunduar zyrtari.

Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit