Prishtinë, 27 tetor 2026 21:33
Kosova është e gatshme të dërgojë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Rripin e Gazës, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), ndërsa koha e dislokimit do të varet nga gatishmëria e kësaj force për t’i pranuar trupat kosovare.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës në një përgjigje për të përditshmen izraelite “The Times of Israel”.
Kontributi i Kosovës do të përfshijë një ekip për çminimin dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD), një komandant të kontingjentit që do të shërbejë si oficer ndërlidhës, si dhe personel tjetër mbështetës. Numri i përgjithshëm i pjesëtarëve që do të dërgohen në Gazë ende nuk është bërë i ditur.
“Ekipi i EOD-së është gati për dislokim dhe do të niset sapo ISF-ja të jetë e gatshme për ta pranuar”, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes, duke sqaruar se koha e dislokimit do të përcaktohet nga ISF-ja, në koordinim me autoritetet përkatëse.
Përgatitjet për misionin kanë përfshirë edhe trajnimin e pjesëtarëve kosovarë nga forcat partnere në muajin maj, ndërsa më 26 prill një ekip i FSK-së kishte zhvilluar një vizitë vlerësuese në Gazë për të shqyrtuar zonën ku pritet të veprojnë trupat kosovare.
Kosova aktualisht ka gjashtë pjesëtarë të angazhuar në kuadër të ISF-së, të stacionuar në Kerem Shalom, pranë kufirit me Gazën. Ndërkohë, edhe shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë, Marokun dhe Kazakistanin, kanë marrë përsipër të kontribuojnë në këtë forcë.
Kosova e formalizoi pjesëmarrjen në ISF më 7 shtator, kur u nënshkrua marrëveshja për përfshirjen e saj në këtë mision ndërkombëtar.
Misioni i ISF-së synon monitorimin e armëpushimit, mbështetjen dhe trajnimin e policisë palestineze, si dhe garantimin e sigurisë për dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë. Dislokimi i plotë i forcës ndërkombëtare, megjithatë, është përballur me vonesa dhe mosmarrëveshje rreth tërheqjes së trupave izraelite dhe çarmatimit të Hamasit.

209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Maqedonci: Gjatë pesë viteve u rekrutuan 3,220 ushtarë të rinj në FSK
Kosova pjesë e kontributit rajonal për sigurinë në Gazë, Shqipëria i bashkohet misionit
Forcimi i FSK-së, 515 rekrutë të rinj nisin rrugëtimin ushtarak
FSK-ja forcon bashkëpunimin ushtarak me Kroacinë
Kurti pret përfaqësuesit shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri: Bashkimi duhet të vazhdojë
Kryeprokuroria nis shqyrtimin e përgjegjësive institucionale në rastin Zekaj
Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës pritet të jetë 3.8% në 2027