Prishrinë, 29 tetor 2026 11:08
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me 12 kamionë të rinj ushtarakë të tipit UNIMOG 5T, 4×4, të prodhuar nga Mercedes-Benz, ndërsa dhjetëra automjete të tjera pritet të arrijnë gjatë vitit 2027.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka bërë të ditur se automjetet e reja do të rrisin kapacitetet e transportit dhe mbështetjes logjistike të FSK-së.
Sipas tij, me këto automjete dhe me kamionët e tjerë të prodhuar nga kompania Rheinmetall, flota e FSK-së është zgjeruar në 35 kamionë të dy kategorive.
“Dhjetëra kamionë të tjerë Unimog dhe Rheinmetall janë blerë dhe do të vijnë në vitin 2027”, ka njoftuar Kurti.
Kamionët UNIMOG janë të përshtatshëm për lëvizje në terrene të vështira, përfshirë zonat malore dhe rrugët e paasfaltuara. Ndërkaq, automjetet Rheinmetall me konfigurim 8×8 synojnë të rrisin kapacitetet transportuese dhe logjistike të ushtrisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se në ceremoninë e pranimit të kamionëve morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Gjermanisë.
Ai ka theksuar se Gjermania po e mbështet FSK-në edhe përmes donacioneve. Në vitin 2024, Kosova kishte pranuar pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion gjerman.
Sipas planifikimit, gjatë vitit 2027 pritet të pranohen edhe dy kamionë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës UNIMOG Mercedes-Benz, gjithashtu si donacion nga Gjermania.
Maqedonci ka theksuar se investimet në pajisje, infrastrukturë dhe personel do të vazhdojnë, me synimin për ta zhvilluar një forcë moderne dhe profesionale, të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkohë, Kurti ka njoftuar edhe për zgjerimin e personelit të FSK-së. Sipas tij, javën e kaluar janë betuar 515 rekrutë të rinj, ndërsa 209 të tjerë kanë nisur trajnimin në fillim të kësaj jave.
Modernizimi i pajisjeve dhe shtimi i personelit janë pjesë e përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e gatishmërisë operacionale të FSK-së.

Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Maqedonci: Gjatë pesë viteve u rekrutuan 3,220 ushtarë të rinj në FSK
Kosova pjesë e kontributit rajonal për sigurinë në Gazë, Shqipëria i bashkohet misionit
Forcimi i FSK-së, 515 rekrutë të rinj nisin rrugëtimin ushtarak
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Shkon në 64 numri i viktimave nga përplasja e trenave në Spanjë
Mbështetja për ish-krerët e UÇK-së, në fokus të strategjisë shtetërore