Prishtinë 06 Shkurt 2026 18:08
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë thirrje për angazhim ndërkombëtar pasi Serbia arrestoi edhe një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa kalonte transit në këtë shtet.
Një ditë më parë, autoritetet në Serbi njoftuan për arrestimin e Mit’hat Llozhanit. Sipas njoftimit edhe nga MPJD-ja në Kosovë, ai u ndalua me të hyrë në Serbi, nga pikëkalimi kufitar Batrovc prej Kroacisë.
Në një njoftim publik, MPJD-ja ka thënë se përmes zyrës ndërlidhëse në Serbi ka adresuar kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për të konfirmuar rastin dhe për ta sqaruar. Po ashtu është thënë se ka dërguar notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it në Serbi, për të siguruar angazhimin e tyre.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit. Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Jetish Jashari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi është në kontakt me familjen e të arrestuarit dhe se do të bëjë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës tek Llozhani.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në apelin e MPJD-së.
Sipas ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, veterani i UÇK-së dyshohet për krime kundër popullatës serbe. Daçiq ka thënë se Llozhani dyshohet se “ka marrë pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Ushtrisë së Jugosllavisë më 1998-1999 në zonën e Dukagjinit”.
“Si pjesëtar i këtij grupi, të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai mori pjesë në kidnapimin dhe masakrimin e zyrtarëve policorë”, ka thënë Daçiqi.
Nga qershori 2025 deri në dhjetor 2025, Serbia ka arrestuar 8 qytetarë shqiptarë të Kosovës.
Cak i arrestimeve kanë qenë kryesisht tri kategori: ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare, pjesëtarët e organeve të sigurisë së Kosovës si policë e ushtarë të FSK-së, si dhe qytetarë serbë të cilët Beogradi i konsideron bashkëpunëtorë të institucioneve të Kosovës.

Pas 27 vitesh pritjeje, identifikohet njëri nga 10 anëtarët e zhdukur të familjes Mëziu nga Skenderaj
Studentët marshojnë sot në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales
Policia thotë se masat në trafik kanë të bëjnë me vozitjet e rrezikshme dhe jo me flamujt e UÇK-së
Protestohet në Vjenë kundër dënimit të katërshes së UÇK-së
Kosova pranohet në sistemin ATA Carnet, OEK: Mundësi të reja për bizneset
27 vite në pritje të së vërtetës, familja merr konfirmimin për Idriz Rrecajn
Kurti në takim me kongresistin amerikan: Vendimi i Speciales ka pasaktësi faktike e gabime ligjore
Trumpi i ashpër ndaj Iranit: Marrëveshje ose shkatërrim
Muzeu Etnologjik i Kosovës – dy dekada në promovimin e etnokulturës dhe trashëgimisë kulturore