Prishtinë, 6 shkurt 2026 18:34
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë nisur një inspektim të përbashkët lidhur me importimin, tregtimin dhe përdorimin e kimikateve, biocideve dhe pesticideve.
Sipas MMPHI-së, ky veprim ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë ushqimore, mirëqenien e kafshëve dhe ruajtjen e mjedisit.
Ministria e Bujqësisë ka konstatuar se disa operatorë ekonomikë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit, duke paraqitur pesticide si biocide, përfshirë edhe substanca të ndaluara nga direktivat ndërkombëtare.
Për këtë arsye, institucionet kanë ndërmarrë masa konkrete dhe të pakthyeshme, në përputhje me standardet evropiane.
Deri më tani, është inicuar auditimi i brendshëm për mbi 100 lëndë; është ndaluar importi, shpërndarja dhe përdorimi i substancave të rrezikshme; janë forcuar inspektimet në terren; janë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj çdo shkelësi, pa dallim; është rritur koordinimi ndërinstitucional për zbatim të plotë të ligjit; janë krijuar grupe punuese për hartimin e akteve dhe rregulloreve të reja; janë shfuqizuar vendime për leje importi që kanë qenë në kundërshtim me ligjin, si dhe është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e kimikateve, duke pamundësuar daljen e tyre në treg.
MMPHI-ja ka theksuar se qeveria ndjek një politikë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Jeta dhe shëndeti publik janë mbi çdo interes tjetër. Prandaj, ftojmë institucionet e rendit dhe drejtësisë që të veprojnë me prioritet dhe seriozitet të plotë. Institucionet tona janë të gatshme për bashkëpunim të plotë, në mënyrë që ligji të zbatohet pa përjashtime dhe pa ndikime.
Mesazhi është i qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë praktikë që rrezikon njerëzit, kafshët apo mjedisin nuk do të tolerohet” thuhet në njoftim.

Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Lidhjet e “Alta Bank” me Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviqin
Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit
Poezia shqipe në gjuhën gjermane, urë lidhëse mes kulturave