Prishtinë, 6 shkurt 2026 08:56
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave të nacionalitetit serb për krime lufte të kryera gjatë Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë mbajtur pozita të larta komanduese dhe funksione operative në strukturat policore, ushtarake dhe të sigurisë së Serbisë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme (MUP), Armatën Jugosllave dhe njësitë speciale policore.
Në mesin e të akuzuarve janë ish-zyrtarë të lartë si Goran Rodosavljeviq, i njohur si “Guri”, ndihmës komandant i Shtabit të Përgjithshëm për Operacione Speciale për Kosovë, Obrad Stevanoviq, ish-shef i Administratës së MUP-it dhe ndihmësministër, si dhe Radomir Markoviq, ish-ndihmësministër i Punëve të Brendshme dhe drejtues në Divizionin e Sigurimit të Shtetit (RDB).
Aktakuza përfshin gjithashtu komandantë ushtarakë e policorë në terren, si Krsman Jeliq, komandant i Brigadës 243 të Mekanizuar të Armatës së III-të, Zhivko Trajkoviq, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ), dhe Milan Leçiq, komandant i Njësive të Veçanta të Policisë së Serbisë (PJP). Po ashtu, të akuzuar janë edhe drejtues të stacioneve policore në Ferizaj dhe Shtime, inspektorë hetimesh, si dhe pjesëtarë aktivë e rezervë të policisë.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt ose kanë komanduar e lehtësuar operacionin që rezultoi me vrasjen e civilëve shqiptarë në Reçak, në janar të vitit 1999, krim që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe u bë pikë kthese në ndërhyrjen e NATO-s.
Lajmi është bërë i ditur nga Klan Kosova, ndërsa autoritetet e drejtësisë kanë theksuar se procesi do të zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
1. Goran Rodosavljeviq (Guri) – Ndihmës komandant i Shtabit të Përgjithshëm për Operacione Speciale për Kosovë,
2. Obrad Stevanoviq – Shefi i Administratës së MUP-it dhe ndihmësministër,
3. Radomir Markoviq – Ndihmësministër i Punëve të Brendshëm, Divizioni i Sigurimit të Shtetit (RDB),
4. Krsman Jeliq – Komandant i Brigadës 243 të Mekanizuar të Armatës së III-të, Korpusi i Prishtinës,
5. Zhivko Trajkoviq – Komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ),
6. Bogoljub Janiçeviq – Kryeshef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Ferizaj,
7. Milan Leçiq – Komandant i Njësive të Veçanta të Policisë së Serbisë (PJP),
8. Radomir Mitiq – Komandant i Stacionit Policor në Ferizaj,
9. Dragan Gjorgjeviq – Komandant i Stacionit Policor në Shtime,
10. Branko Mladenoviq – Zëvendëskomandant i Stacionit Policor në Shtime,
11. Dragan Jashoviq – Polic dhe inspektor i hetimeve në Ferizaj,
12. Momçilo Shparavalo – Polic dhe inspektor i hetimeve në Ferizaj,
13. Darko Amanoviq – Polic dhe inspektor i hetimeve në Ferizaj,
14. Serboljub Vujnoviq – Polic dhe inspektor i hetimeve në Ferizaj,
15. Bozhidar Marinkoviq – Polic dhe inspektor i hetimeve në Shtime,
16. Zoran Stanojeviq – Polic dhe inspektor i hetimeve në Shtime,
17. Milan Joshanoviq – Polic dhe inspektor i hetimeve në Shtime
18. Goran Petkoviq – Pjesëtar i Njësive të Veçanta të Policisë (PJP),
19. Dragoslav Nikoliq – Pjesëtar i Njësive të Veçanta të Policisë (PJP),
20. Qedomir Aksiq– Pjesëtar rezervë i policisë në Shtime dhe
21. Zvonimir Janjiçeviq – Pjesëtar rezervë i policisë në Shtime, bënë të ditur Klan Kosova.
