Prishtinë 22 janar 2026. 13:12
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes së komandantit Adem Jashari, i cili ndodhi më 22 janar 1998 në Prekaz.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se, ashtu si në vitin 1991, edhe në vitin 1998 familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u shndërruar në shembull dhe simbol të rezistencës kundër regjimit shtypës të Serbisë dhe të luftës për çlirimin e Kosovës.
“Çdo 22 janar, e kujtojmë ditën e kësaj date të vitit 1998, kur policia serbe e sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz. Mëngjesin e hershëm të asaj dite, për gjysmë ore, një grup policësh serbë shtiu në breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit. Duke e mbrojtur familjen dhe shtëpitë e tyre nga ky sulm kriminal, prej brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza. Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari. Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.Kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore, pas aksionit të parë të 30 dhjetorit 1991, datë kjo që vite më pas do të nis të shënohet si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se historia e çlirimit të Kosovës është shenjuar nga njerëz kurajozë dhe familje si ajo e Shaban Jasharit, të cilat me vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.
“Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t’i bashkoheshin UÇK-së. Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri. Mes kujtimesh plot respekt dhe nderimesh të thella për familjen e Shaban Jasharit nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës”, ka shkruar Kurti.

KQZ: Fillon aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe dorëzim të listave të kandidatëve për deputetë
Kërkohen masa të rrepta dhe ndëshkime për kompanitë e ndërtimit që s’i respektojnë rregullat për sigurinë e punëtorëve
Sektori i teknologjisë në Kosovë ul ndjeshëm papunësinë e të rinjve
Gjashtë ditë afat për zyrtarizim të koalicioneve
27 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë
Stradner: Rezoluta amerikane për Kosovën në NATO është ‘sinjal i fortë politik
“Kosova është Serbi, kam marrë peng dy shqiptare”, rusi kërcënoi me bombë në Rinas, SPAK kryen hetimet