Prishtinë 19 Janar 2026 10:44
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është anuluar seanca e së hënës në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt i akuzuar për krime lufte në Izbicë më 1999.

Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”

Anulimin e seancës e ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, me arsyetimin se Prokuroria Speciale në këtë proces gjyqësor ka propozuar dëgjimin e dëshmitarëve të rinj.

Ndryshe, në seancën fillestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

By US5