Prishtinë, 15 dhjetor 2025 18:44
Përvjetori i masakrës në kafenenë “Panda” në Pejë, ku më 14 dhjetor 1998 u vranë gjashtë të rinj serbë, këtë vit kaloi pa asnjë reagim zyrtar nga Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe asnjë përfaqësues i lartë i klasës politike serbe nuk e përmendën fare ngjarjen, ndryshe nga vitet e mëparshme kur rasti përdorej rregullisht për të akuzuar shqiptarët.
Kjo heshtje është domethënëse. Deri para dy-tre vitesh, autoritetet serbe e shfrytëzonin rastin “Panda” si argument politik dhe propagandistik, duke ia mveshur fajin shqiptarëve dhe UÇK-së, pavarësisht mungesës së provave. Sot, kur në Serbi po zhvillohen hetime që hedhin dyshime serioze mbi rolin e shërbimeve sekrete serbe në inskenimin e krimit, narrativa zyrtare ka ndryshuar – jo përmes transparencës, por përmes heshtjes.
Vetë deklaratat e mëhershme të presidentit Vuçiç, i cili ka pranuar se nuk ka prova që shqiptarët janë përgjegjës për këtë krim, kanë hapur një kapitull të ri dyshimesh. Paralelisht, në Serbi po hetohet mundësia që strukturat e sigurisë së shtetit serb ta kenë organizuar sulmin, me qëllim që krimi t’u faturohej shqiptarëve dhe të shërbente si justifikim për intensifikimin e dhunës dhe represionit në Kosovë gjatë viteve të luftës.
Mos-reagimi i Beogradit në përvjetorin e kësaj ngjarjeje nuk shihet më si harresë, por si strategji politike për të shmangur përgjegësinë. Në Serbi mediat opozitare vlerësojnë se çdo përkujtim zyrtar do ta detyronte Serbinë të përballej me pyetjen thelbësore: kush e organizoi vërtet masakrën e “Panda”-s dhe pse e vërteta u fsheh për dekada.
Deri në vitin 2023 presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nxitohej të fajësonte shqiptarët për këtë ngjarje – reagim që bëhej vetëm në përvjetorin e vrasjes së të rinjve serbë.
Mirëpo, në dy vitet e fundit kanë munguar reagimet nga Serbia, gjegjësisht nga presidenti i saj.
Në historikun e deklaratave të tij, Vuçiç kishte lënë të kuptohet se hetuesit po i afrohen gjetjes të së vërtetës çdo vit që nga viti 2013, kur ai fillimisht sugjeroi se nuk kishte asnjë provë se masakra ishte kryer nga shqiptarët e Kosovës.
Ljubica Trifoviç, nëna e të vrarit Dragan Trifoviç, vite më parë kishte deklaruar se ajo ndjek çdo dalje publike të Vuçiçit, duke shpresuar të dëgjojë për ndonjë zbulim të madh në këtë hetim, edhe pse nuk beson se kjo do të ndodhë.
“Askush nuk kishte ndonjë shpresë derisa doli Vuçiçi dhe e tha vetë publikisht këtë (për progresin në këtë rast). Pra, zoti president, atëherë kush i vrau ata fëmijë?” pyeti Trifoviç
Hetimet për këtë krim janë nisur vetëm më 12 maj 2016 në Prokurorinë për Krim të Organizuar në Beograd. Në sulmin terrorist, me breshëri automatike, janë qëlluar rreth 60 plumba.
Përfaqësuesi ligjor i prindërve të të rinjve të vrarë në kafenenë “Panda” në Pejë, Ivan Niniq, dy vjet më parë ka paraqitur kërkesë në Prokurorinë për Krim të Organizuar që në cilësinë e dëshmitarit të merret në pyetje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas shkrimit të gazetës Danas, e cila mëson jozyrtarisht, është paraqitur gjithashtu kërkesë që si dëshmitarë në rastin “Panda” të merren në pyetje edhe ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, Jovica Stanishiq, dhe Franko Simatoviq “Frenki”, po ashtu ish-zyrtar i lartë i SDB-së. Të dy janë të dënuar nga Tribunali i Hagës.
Rasti “Panda” mbetet një nga shembujt më të rëndë të manipulimit të krimeve për qëllime politike, ndërsa heshtja e sotme e udhëheqjes serbe vetëm sa forcon dyshimet se pas këtij krimi qëndronin shërbimet sekrete serbe, me synimin për të fajësuar shqiptarët dhe për të ndërtuar një narrativë të rreme që i shërbente politikave të kohës.
Derisa Serbia të japë përgjigje të qarta dhe të hapë arkivat e saj, “Panda” do të mbetet jo vetëm një krim i pazbardhur, por edhe simbol i mungesës së drejtësisë dhe i heshtjes së qëllimshme shtetërore.

Kosova mbetet cak i ndërhyrjeve të huaja e fushatave dezinformuese
Kurti pret të mos refuzohet nga partitë e tjera, do bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit
Presidenca bullgare: Presidentet e Bullgarisë dhe të Kosovës diskutojnë për thellimin e marrëdhënieve
Bullgaria në krah të Kosovës për integrimin në BE dhe anëtarësimin në KiE
Haxhiu: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat
Manipulimi i fokusit publik: Kosova si instrument në raportet Serbi- Mali i Zi
Brenda vagonit të kujtesës, Haxhiu viziton Muzeun “Eksodi ’99” në Prishtinë
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkon ndërprerjen e punës në ndërtimtari gjatë orëve të pikut të temperaturave
Mbahet takimi i parë i Grupit Koordinues, Gërvalla: Siguria do të mbetet prioritet i yni për secilin person që përballet me dhunë