Prishtinë, 10 dhjetor 2025 09:18
Inovacioni vendor shënon një tjetër arritje të rëndësishme. Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, prof. Arbnor Pajaziti, ka siguruar patentimin dhe njohjen zyrtare të shpikjes së tij të veçantë: “Ventilatori Mekanik me Lidhje Rivepruese të Rregullimit”, i certifikuar nga Agjencia për Pronësi Industriale e Republikës së Kosovës.
Kjo patentë, e cila u aplikua në shkurt të vitit 2024 dhe është e vlefshme deri më 2 shkurt 2044, përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e pajisjeve të avancuara të ventilimit mekanik. Ventilatori mekanik i patentuar është konceptuar si një pajisje inovative që mund të përdoret në një sërë fushash ku kërkohet kontroll i saktë dhe inteligjent i procesit të ventilimit.
Në këtë arritje shkencore ka kontribuar edhe Petrit Abdyli, inxhinier dhe i diplomuar në nivel master në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, i cili ka qenë bashkëpunëtor i afërt i profesor Pajaziti gjatë zhvillimit të projektit.
Shpikja e tyre ndërthur me mjeshtëri mekatronikën, mjekësinë dhe industrinë, duke dëshmuar se Universiteti i Prishtinës po vazhdon të qëndrojë në hap me inovacionet bashkëkohore dhe zhvillimet teknologjike globale.
Ideja për ndërtimin e këtij ventilatori lindi në një kohë sfiduese – gjatë pandemisë së Covid-19, kur u bë e qartë se mungesa e pajisjeve të tilla ishte një nga problemet më të mëdha me të cilat përballeshin sistemet shëndetësore në mbarë botën. Projekti u mbështet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës, duke treguar besimin dhe rëndësinë që iu dha këtij inovacioni.
Patenta e re e përforcon pozitën e Universitetit të Prishtinës si një qendër e rëndësishme e shkencës dhe inovacionit në rajon, ndërsa profesor Pajaziti dhe ekipi i tij mbeten shembull frymëzimi për gjeneratat e reja të inxhinierëve dhe studiuesve kosovarë.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës