Prishtina 04 Dhjetor 2025. 13:39
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj, dhe i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me pretendime për krime lufte të vitit 1999.
Në një njoftim zyrtar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka deklaruar se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
Mes të tjerash, në njoftim të MPJD-së thuhet:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e z. Qenaj dhe për të kundërshtuar këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik.
Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar z. Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë.
Z. Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit.
Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim. Familjarët e tij kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor.
Z. Qenaj është arrestuar më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar Merdarë, gjatë transitit drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, ku familja e tij ka një biznes familjar. Pas arrestimit, ai është mbajtur për 48 orë në Prokuplje dhe më pas është transferuar në Beograd. Më 28 nëntor, ai ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës të Beogradit, ku është njoftuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit ka iniciuar procedurë penale kundër tij dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve