Prishtinë, 03 dhjetor 2025 20:05
Një raport i ri i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ngre alarmin për ndikimin e thellë të dezinformimit në rritjen e mosbesimit, përshkallëzimin e tensioneve etnike dhe minimin e përpjekjeve të brishta për pajtim mes komuniteteve shqiptare dhe serbe në Kosovë. Raporti, i publikuar në kuadër të projektit DISRUPT, hedh dritë mbi funksionimin e mirëorganizuar të fushatave dezinformuese dhe rolin qendror të aktorëve të jashtëm – veçanërisht Rusisë – në nxitjen e radikalizimit etno-politik.
Sipas të dhënave të raportit, mediat shtetërore ruse Sputnik dhe RT, të cilat operojnë nga Serbia, paraqiten si burime kyçe të prodhimit dhe shpërndarjes së narrativave destabilizuese në rajon. Këto platforma, përmes rrjeteve të tyre mediatike dhe ndikimit politik, furnizojnë hapësirën mediatike në Serbi dhe në Kosovë me përmbajtje të fabrikuara, që synon të thellojë përçarjet, të ushqejë frikën dhe të krijojë armiqësi të reja ndërmjet komuniteteve. Raporti thekson se kjo strategji është pjesë e një modeli më të gjerë rus për të minuar orientimin euro-atlantik të rajonit.
Një prej zbulimeve më shqetësuese lidhet me rolin e kanaleve të Telegramit – si BUNT, Bunker dhe Hodnik – të cilat kanë dhjetëra mijëra ndjekës dhe sipas raportit operojnë në mënyrë të koordinuar për të amplifikuar mesazhe nacionaliste dhe për të glorifikuar dhunën. QKSS thekson se këto kanale përçojnë narrativa të sinkronizuara që shpesh përputhen me linjat propagandistike të aktorëve rusë. Ato kanë luajtur rol të drejtpërdrejtë në mobilizimin e njerëzve në terren, përfshirë organizimin e barrikadave në veri të Kosovës.
Raporti nuk e anashkalon as ndikimin e mediave shqiptare, të cilat nganjëherë bien pre e narrativave përçarëse duke e portretizuar komunitetin serb si kërcënim të vazhdueshëm. Megjithatë, QKSS e thekson qartë se zinxhiri i dezinformimit është i lidhur ngushtë me aktorë të jashtëm, me strategji të qëndrueshme dhe synime të qarta politike.
Në thelb të analizës është ideja se radikalizimi etno-politik në Kosovë nuk është vetëm ideologjik, por emocional, i lidhur me identitetin dhe i ushqyer nga narrativat që qarkullojnë në hapësirën digjitale. Dezinformimi, sipas raportit, vepron si katalizator: shtrembëron incidentet reale, shfrytëzon frikën, manipulon simbolikën dhe përdor nostalgjinë për të krijuar ndjesi të rreme viktimizimi apo rreziku.
QKSS mbështet gjetjet e tij në një metodologji të thelluar, që përfshin monitorim të rrjeteve sociale, analiza të dhjetëra artikujve dhe postimeve në Telegram, si dhe intervista me gazetarë, zyrtarë publikë dhe përfaqësues të komuniteteve. Në fokus janë vendosur veçanërisht incidentet e rëndësishme, si sulmi terrorist në Banjskë, për të treguar se si këto ngjarje u përdorën nga aktorët e dezinformimit për të manipuluar opinionin publik në të dy komunitetet.
Rezultatet e raportit sugjerojnë se ekosistemi i dezinformimit në Kosovë është një përzierje e koordinimit të qëllimshëm dhe veprimit kaotik: nga administratorë të kanaleve të Telegramit të lidhur me aktorë të huaj, deri te media lokale që përfitojnë nga sensacionalizmi dhe clickbait-i. Këta aktorë, sipas QKSS, edhe kur nuk bashkëveprojnë drejtpërdrejt, krijojnë një efekt të kombinuar që shtyn përpara polarizimin dhe fragmentimin social.
QKSS shpreson që raporti të nxisë një debat publik dhe institucional mbi strategjitë kundër dezinformimit dhe mbi mënyrën se si institucionet, media dhe shoqëria civile mund t’i adresojnë rrënjët e radikalizimit etno-politik. Në një kohë kur besimi mes komuniteteve në Kosovë mbetet delikat, raporti paralajmëron se manipulimi informativ – veçanërisht ai i modeluar nga Rusia dhe i shpërndarë përmes rrjeteve të sofistikuara mediatike dhe digjitale – mbetet një nga kërcënimet më serioze për stabilitetin dhe paqen në vend.

Prokuroria Speciale: Dyshohet për mbetje mortore në Jabukë të Zubin Potokut
Nga jeta në zhdukje – rrëfimi për 23 civilët e vrarë dhe groposur fshehtas
Koci: Edhe një qytetar i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe
Arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin-Potok
Varroset Isuf Hoxha, iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh
Sveçla: Serbia refuzon të tregojë varret masive dhe ndëshkon ata që flasin
Koci: Sa herë ka hetime për krime lufte në Kosovë, ka arrestime në Serbi
Islami: Serbia po përdor arrestimet për të barazuar viktimën me kriminelin