Beograd 26 Nëntor 2025 21:06
Opozita në Serbi vazhdon të kërkojë përgjegjësi politike dhe penale për funksionarët e lartë të shtetit. Fushata “Rruga për në burg, drejtësi për Serbinë” ngarkon me akuza presidentin Vuçiq dhe të vëllanë e tij për shkatërrim të institucioneve tash e një dekadë. Opozita tashmë ka filluar të nxjerrë në pah edhe dokumente që e lidhin Vuçiqin me kokat e krimit, duke kërkuar nga organet kompetente të nisin procedura për përgjegjësi.
Thellimi i tensioneve politike në Serbi, pas muajve të tërë protestash antiqeveritare, ka kaluar në një rrafsh tjetër. Partitë opozitare kanë nisur një ofansivë të re kundër qeverisë së Vuçiqit, duke e akuzuar atë për shkatërrim të institucioneve tash e një dekadë.
Fushata “Rruga për në burg, drejtësi për Serbinë” ka nxjerrë në pah një sërë akuzash kundër Vuçiqit dhe vëllait të tij, Andrej.
Deputetja Marinika Tepiq ka kërkuar nga institucionet kompetente nisjen e procedurave për përgjegjësi politike dhe penale të funksionarëve më të lartë.
“Vuçiq paraqitet formalisht si president, por në fakt vepron si shef i krahut politik të një grupi të organizuar kriminal. Kjo aktakuzë synon të çmontojë sistemin e korrupsionit, krimit dhe frikës me të cilin është kapur shteti”, the Tepiq.
Tepiq ka paraqitur dokumentin ku radhiten aferat pas të cilave, sipas saj, qëndron pushteti i Vuçiqit prej vitesh — nga rrëzimi i strehës te stacioni hekurudhor në Novi Sad, te lidhjet me Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin, e deri te keqpërdorimet zgjedhore.
Ndonëse presidenti Vuçiq ende nuk ka reaguar, kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur përpjekje për “ndalimin e veprimtarisë politike të presidentit”.
“Aq shumë marrëzi, gënjeshtra e thashetheme u thanë, sa që as vetë ajo nuk arriti të kuptojë çfarë dëshiron të thotë”, tha Ana Brnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë.
Ndërkohë, opozita mbetet këmbëngulëse në kërkesën për hetime ndaj Vuçiqit dhe ndalimin e partisë së tij. Akuzat e fundit lidhen me kërkesat që kanë nxitur protestat antiqeveritare, të cilat po vazhdojnë prej më shumë se një viti.
Duke marrë shkas nga tragjedia në Novi Sad, protestave iu janë bashkuar studentë dhe shumë qytetarë, të cilët me këmbëngulje kërkojnë hetime institucionale, shkarkimin e përgjegjësve dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit