Tiranë, 31 tetor 2025
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, ka vdekur të premten në moshën 73-vjeçare.
Ai kishte qenë i shtruar prej disa ditësh në një spital privat në Tiranë, ku po trajtohej për probleme shëndetësore. Ai prej kohësh kishte probleme me mushkëritë, ndërkaq gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ditët e fundit, raporton transmetuesi publik i Shqipërisë.
Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit Fatos Nano, ka sjellë reagime të shumta nga politika shqiptare si majtas dhe djathtas. Presidenti Bajram Begaj vlerësoi rolin e liderit socialist Fatos Nano përgjatë tranzicionit të vendit, si dhe politikat reformiste e liberale që ai ndoqi përgjatë aktivizimit në politikën shqiptare.
”Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar”, shkruan Begaj në mesazhin e ngushëllimit. Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryetari socialist Fatos Nano. Në mesazhin e tij ai vlerëson kontributin e ish-liderit të tij dhe thekson se Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë.
”Sot e humbëm Kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje U prehsh në paqe shef”, shkruan Balla. Për deputetin e PS-së Erion Braçe, Fatos Nano është njeriu që ribëri të majtën shqiptare. “Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!”, shkruan Braçe.
Nga radhët e demokratëve ka qenë deputeti Tritan Shehu, i cili përmes një mesazhi në rrjete sociale ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryesocialistit. “Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Z. Fatos Nano! Një humbje për familjen socialiste. Një humbje për politikën shqiptare. Ngushëllime familjes së tij, që e ndjen e përjeton më shumë se gjithë se kush këtë humbje. Bashkëpuntorëve në vite. Miqve e shokëve. Ngushëllime!”, shprehet Shehu.
Për kreun e Partisë Agrare Ambientaliste Fatos Nano është njeriu që lënë gjurmë të thella, që nuk dinte të hakmerrej por të falte. ”Njeriu në jetë njeh shumë njerëz, por jo të gjithë lënë gjurmë të thella si nëna, babai e familja. Një njeri që unë nuk do ta harroj kurrë ishte Fatos Nano. Një njeri me një zgjuarsi të lindur, por edhe i thellë në dituri. Ai udhëhiqej nga dashuria për njerëzit. Nuk dinte të hakmerrej, por dinte të falte. Shqiptarët ishin me fat që patën në një epokë të vështirë një njeri tolerant, social-liberal dhe të ditur si ai. U prehsh në paqe, miku im. Qofsh i parajsës”, shkruan Duka.
Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri shkruan që Nano do të mbahet mend si njeriu i betejave dhe vendimeve të forta ashtu sikurse i kompromiseve dhe marrëveshjeve si mjeti më efektiv i të bërit politikë. ”Me modelin e tij liberal, udhëhoqi Partinë Socialiste dhe në tërësi të majtën shqiptare, duke e kthyer në një forcë politike të shëndetshme, moderne e progresiste. Si kreu i qeverisë, Fatos Nano drejtoi vendin në momente të vështira, kur duhej ringritur shteti i gjunjëzuar në të gjitha hallkat e tij. Njeriu i betejave dhe vendimeve të forta ashtu sikurse i kompromiseve dhe marrëveshjeve si mjeti më efektiv i të bërit politikë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirësve”.

Sveçla: Kosova është dëshmi e lirisë me sakrificën e dëshmorëve e martirëve
Historianë e profesorë zbardhin dëshmi të krimeve serbe në Vushtrri gjatë luftës
Brenda vagonit të kujtesës, Haxhiu viziton Muzeun “Eksodi ’99” në Prishtinë
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkon ndërprerjen e punës në ndërtimtari gjatë orëve të pikut të temperaturave
Mbahet takimi i parë i Grupit Koordinues, Gërvalla: Siguria do të mbetet prioritet i yni për secilin person që përballet me dhunë
Shtyhet gjykimi ndaj Ramadan Morinës për krime lufte
Terras: Shumë e rëndësishme që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat
Kosova mbetet cak i ndërhyrjeve të huaja e fushatave dezinformuese