Kllokot, 28 tetor 2025
Rreth njëzet banorë të Kllokotit janë mbledhur përpara shkollës fillore “Shën Sava” për të protestuar për disa arsye: shkarkimin e drejtorit të shkollës pa u konsultuar me kolektivin, mosvazhdimin e kontratave të disa mësuesve, uljen e pagave dhe kërcënimet e shantazhet e mëparshme. Të pakënaqurit për gjendjen e tyre fajësojnë kandidatin e Listës Serbe për kryetar të Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq.
Sipas banorëve, drejtoresha e sapoemëruar, Sunçica Nikoliq nga fshati Gërnçarë, ka tentuar dy ditë me radhë të hyjë në shkollën fillore në Kllokot, por pa sukses.
Strahinja Zdravkoviq, thotë se drejtoresha e re ka kërcënuar se do t’i largojë nga puna.
“Ajo është dërguar nga Bozhidar Dejanoviq për t’i larguar njerëzit nga puna. Ka shumë shembuj. Këtu janë disa djem që janë hequr nga puna. Edhe gruan time e kanë hequr. Ajo ka punuar në shkollën fillore në Viti. Pas zgjedhjeve na thirri atje dhe tha: ‘Nuk keni votuar, shkoni në shtëpi. Kaq ishte’”, tha mësuesi i edukatës fizike në shkollën “Shën Sava” në Kllokot, Strahinja Zdravkoviq.
Ai shtoi se tani po presin se çfarë do të thotë nga e ashtuquajtura zyrë për Kosovën.
“Ajo nuk pyeti askënd, vetëm erdhi dhe tha: ‘Unë jam drejtoresha e re’. Sot erdhi, provoi të hynte, por sigurimi nuk e lejoi. Filloi të shtyhej dhe para se të largohej tha se do të na heqë nga puna sapo të marrë detyrën”, tha Zdravkoviq.
Të pyetur nga mediet pse vetëm njëzet persona po protestojnë nëse ka kaq shumë probleme e kërcënime, ai u përgjigj:
“Për shkak të frikës – që të mos i largojnë nga puna, të mos u heqin pagën minimale apo ndihmën sociale. Duhej të vinin më shumë, por nuk guxojnë. Njerëzit janë nën presion. Nëse nuk voton, shkon në shtëpi.”
Sipas tij, drejtoresha e re ka ardhur “me urdhër të Bozhidar Dejanoviqit për t’i larguar njerëzit”.
“Ne nuk jemi kundër Listës Serbe, por kundër atij njeriu, kandidatit të saj, Bozhidar Dejanoviq. Është njeri i gabuar për atë pozitë”, shtoi ai.
Ai tha se drejtori i mëparshëm, Vladan Bogdanoviq, nuk kishte pranuar të largonte punonjësit.
“Prandaj e hoqën dhe vendosën njeriun e tyre, këtë grua, për ta bërë atë punë. Kemi dëgjuar që janë përgatitur edhe vendimet e pushimit nga puna. Po presin vetëm që ajo të hyjë dhe t’i ndajë. Ne që jemi mbledhur këtu, jemi 15 punëtorë”, tha Zdravkoviq.
Sreten Bogdanoviq: Ne nuk kemi asnjë fjalë
“Na trajtojnë si pula për majmëri, nuk kemi asnjë fjalë, edhe pse kemi këshill shkollor dhe kolektiv arsimor,” tha mësuesi i gjuhës serbe, Sreten Bogdanoviq.
“Askujt nuk i intereson mendimi ynë. Dërgojnë dikë për të zbatuar urdhra të panjohur për ne. Thuhet se ajo drejtoreshë ka për detyrë të suspendojë dhe largojë shumë punëtorë të shkollës. Çfarë synojnë – nuk e di askush,” shtoi ai.
Ai nuk është i sigurt nëse situata aktuale ka lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kllokot.
“Nuk mund ta them me siguri, por mund të hamendësohet. Kërkojnë të punojmë sipas urdhrave, por njerëzit nuk duan më të durojnë. Ne kemi 25 vjet që jetojmë nën presione. Tani, përveç tyre, po përjetojmë presione edhe nga dikush që po na imponohet për të na sunduar,” tha Bogdanoviq.
Atij i kanë mbetur edhe gjashtë muaj deri në pension.
“Nuk mund të pajtohem me këtë mënyrë pune. Jam nën stres nga ajo që ajo grua bëri sot në mëngjes. Filloi të bërtasë dhe të shtyjë punëtorin e sigurimit,” tha ai.
“Ajo erdhi dje dhe tha: ‘Unë jam drejtoresha juaj’. Sigurimi, sigurisht, nuk lejon persona të panjohur të hyjnë brenda. Sot erdhi përsëri dhe bërtiti: ‘Kush jeni ju të më ndaloni? Unë jam kjo, unë jam ajo… Të gjithëve do t’ju heq nga puna kur të bëhem drejtoreshë’. Këto ishin fjalët e saj,” tregoi Bogdanoviq.
Dobri Zdravkoviq: Nuk e di pse ka ardhur
Në debat me drejtoreshën e re të shkollës “Shën Sava” hyri edhe punonjësi i sigurimit, Dobri Zdravkoviq.
“Ajo, nuk e di pse ka ardhur. Më tha: ‘Ti nuk mund të vendosësh asgjë, më ka dërguar ministria dhe unë do të hyj’. Pas pak ajo shkoi me Bozhidar Dejanoviqin për konsultime. Ajo vjen këtu për të provokuar, që dikush ta godasë, e pastaj ai të shkojë në burg ose njerëzit të frikësohen dhe ta lejojnë të hyjë,” tha ai.
Ai shtoi se Sunçica Nikoliq e kishte kërcënuar dhe e kishte fotografuar.
“Më tha: ‘E di çfarë do të të ndodhë kur të kalosh kufirin për në Serbi, që nuk më le të hyj. Mua më ka lejuar Serbia, e ti po vepron kundër Serbisë’. I thashë: Lirisht, më denonco, kam edhe unë çfarë të them në Serbi,” tha ai.
Edhe ai fajëson Bozhidar Dejanoviqin për këto probleme.
“Ai vazhdimisht shkon shtëpi më shtëpi dhe kërcënon se do të na heqë nga puna. Ne nuk jemi kundër Serbisë, përse do të ishim, kur pagën e marrim nga Serbia? Por ai na detyron të jemi kundër. Snajën time e hoqi nga puna, i dha vetëm katër orë. Pastaj tha: ‘Tani do ta shkatërroj gjithë familjen tuaj’ dhe dërgoi këtë drejtoreshë,” rrëfeu ai.
Boban Bogdanoviq: Kurrë nuk kam dashur të jem me Listën Serbe
Probleme kanë edhe punëtorët e të ashtuquajturit organi i përkohshëm i komunës së Vitisë. Disa prej tyre, sipas raportimeve, kanë pasur ulje pagash para raundit të parë të zgjedhjeve lokale.
“Për këto zgjedhje, pagën e fundit nuk na e dhanë… Zoti Dejanoviq më kërcënoi se do të më heqë nga puna. Kam marrë pjesë në disa tubime… Kurrë nuk kam dashur të jem pjesë e Listës Serbe dhe as nuk dua. Pse e bëri këtë, nuk e di,” tha punëtori Boban Bogdanoviq.
I pyetur nëse ka kërkuar sqarime pse iu ul paga, ai u përgjigj:
“Nuk përgjigjet askush. Vetëm me telefon kam mundur të pyes.”
Sipas tij, paga i është ulur edhe Nikolla Stanojkovit nga Mogilla, në të ashtuquajturin organ i përkohshëm i komunës së Vitisë.
“Dejanoviqi më kishte kërcënuar edhe më parë se do të më ulë pagën. Si mundet ai t’u heqë pagat njerëzve si t’i dojë? Kjo është katastrofë për familjen time. Jam baba i vetëm, gruaja më ka vdekur para tre vitesh. Kam një djalë dhe tri vajza. Djali nuk punon askund, askush nuk do ta punësojë. Do të shohim çfarë do të ndodhë,” përfundoi Bogdanoviq.
Sunçica Nikoliq është emëruar ushtruese detyre e drejtoreshës së shkollës fillore “Shën Sava” në Kllokot më 24 tetor 2025, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, por jo më gjatë se gjashtë muaj.
Kujtojmë se ai më 9 nëntor do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale me Sreçko Spasiqin për postin e kryetarit të komunës.
