Prishtinë 24 Tetor 2025
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka folur për presionet që, sipas tij, Serbia po ushtron ndaj serbëve të Kosovës që nuk i përkasin Listës Serbe.
Rashiq tha se autoritetet serbe po përdorin metoda të frikësimit dhe ndalesave në kufi ndaj familjarëve të politikanëve dhe aktivistëve që mendojnë ndryshe nga pushteti në Beograd.
“Djali im, që studion në Serbi, çdo herë mbahet katër orë në kufi. Edhe gruaja ime është ndalur. Kjo është një luftë psikologjike që po vazhdon prej vitesh”, tha Rashiq.
Sipas tij, këto janë forma të presionit të organizuar nga shërbimet e sigurisë serbe për të frikësuar qytetarët që mbështesin alternativa politike jashtë Listës Serbe.
“Në disa raste, njerëzit ndalen pa arsye. Shërbimet e sigurisë i trajtojnë si persona ‘të dyshimtë’. Kjo është mënyra se si Serbia po i ndëshkon qytetarët që nuk i binden politikisht”, tha ai.
Rashiq tregoi se me situata të tilla përballen edhe shumë bashkëpunëtorë të tij që kanë përjetuar raste të ngjashme në pikat kufitare me Serbinë.
“Nuk jam i vetmi. Edhe bashkëpunëtorët e mi, edhe kandidatët tanë janë ndalur disa herë. Janë intervistuar nga agjentët e BIA-s dhe janë trajtuar si kundërshtarë të shtetit. Kjo është një formë e frikës sistematike”, deklaroi ai.
Ai tha se përvoja e familjes së tij tregon mënyrën se si Serbia përdor kontrollin e institucioneve për të ushtruar trysni mbi serbët që jetojnë në Kosovë.
“Kjo është pjesë e një ‘aparati të zi’ që funksionon prej vitesh. Ata e përdorin frikën si armë për të mbajtur kontrollin. Kjo nuk është më politikë, por represion ndaj njerëzve tanë”, shtoi Rashiq.
Në fund, ai tha se presioni i tillë nuk do ta ndalë që të vazhdojë punën për ndërtimin e pluralizmit politik brenda komunitetit serb në Kosovë.
“Ne do të vazhdojmë. Kjo është betejë për demokraci, jo vetëm për një komunitet, por për të gjithë qytetarët që duan të jetojnë pa frikë”, përfundoi Rashiq.

Haxhiu: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat
Manipulimi i fokusit publik: Kosova si instrument në raportet Serbi- Mali i Zi
Zulfaj: Kosova është e gatshme për statusin e vendit kandidat
Haxhiu përfaqëson Kosovën në samitin SEECP në Sofje
Rashiq: Serbët iu nënshtruan presionit e shantazhit nga Lista Serbe
Kurti nis vizitën në Austri, në fokus bashkëpunimi dhe integrimi evropian
Gjykata në Prishtinë cakton fillimin e gjykimit në mungesë për Masakrën e Reçakut: Të akuzuar 19 ish-zyrtarë ushtarakë dhe policorë serbë
Dosja e Prokurorisë: Zbulohen detajet se si operonte grupi i shpartalluar kriminal
Suhareka do të bëhet me Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare të re, investim prej 4 milionë euro