Prishtinë, 6 tetor 2025
Iniciativa Qytetare “Fytyra e Re” në Zubin Potok, që garon në zgjedhjet lokale më 12 tetor, nëpërmjet një postimi në facebook, ka njoftuar se ka marrë disa informacione se para dy javësh ka filluar mbledhja sistematike e letërnjoftimeve të të punësuarve në sektorët shëndetësor, arsimor dhe në të tjera.
“Kartat e identitetit po mblidhen nga të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër marrin fonde nga buxheti i Qeverisë së Serbisë. Filloi nga të punësuarit, vazhdoi te ish-punonjësit, ndërsa ditët e fundit po kërkohen dokumente edhe nga anëtarët e familjeve të tyre. Çdokush që ka të ardhura nga sistemi shtetëror bëhet objektiv”, thuhet në njoftimin e kësaj iniciative.
Sipas njoftimit publik, nuk ka asnjë shpjegim, firmë apo gjurmë me shkrim, ndërsa ka një mesazh.
“Jep dokumentin ose mbetesh pa të ardhura.”
“Kartat e identitetit mbahen për 3 deri në 4 ditë dhe më pas kthehen në heshtje. Çfarë ndodh me to ndërkohë, nuk dihet. Përse mblidhen, askush nuk është informuar. Por mesazhi është i qartë: pritet bindje, dhe kushdo që refuzon do të ndëshkohet”, sqaron njoftimi situatën e krijuar brenda komunitetit serb.
“Në çdo ndërmarrje, në çdo institucion, ka disa persona të ngarkuar për mbledhjen e dokumenteve, sipas urdhrit të dikujt. Në disa raste kërcënohet drejtpërdrejt me humbjen e vendit të punës, shkarkim, ose përjashtim nga sistemi. Në raste të tjera, mjafton një shikim që e bën të qartë se “nuk ke zgjedhje”.
Është shqetësuese, sipas Iniciativës “Fytyra e Re”, fakti se në disa institucione shëndetësore, nga punonjësit që kanë dokumente të Kosovës, kartat e identitetit janë marrë nën kërcënimin e hapur të pushimit nga puna. Stafi mjekësor, madje edhe administrata – të gjithë janë nën presion, të gjithë në heshtje.
“Informacioni më i fundit tregon se të gjithë ata që janë në këtë sistem duhet të paraqiten më 12 tetor për të votuar, dhe atë bashkë me të gjithë anëtarët e familjes. Urdhri është i qartë. Liria e zgjedhjes nuk ekziston. Vetëm kontrolli”, thuhet në njoftim, ndërsa parashtron disa pyetje:
Kush qëndron pas kësaj operacioni?
Sipas cilit ligj merren dokumentet personale pa urdhër?
Kush garanton se të dhënat personale të qytetarëve nuk po keqpërdoren?
Dhe pse kjo po ndodh në heshtje, pa dëshmitarë, pas dyerve të mbyllura?
“Kjo nuk është fushatë zgjedhore. Kjo është një përzierje shpërthyese e represionit politik dhe mashtrimit të mundshëm zgjedhor. Marrja e kartave të identitetit pa pëlqim, me kërcënime dhe shantazhe, është vepër penale.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente, vendore dhe ndërkombëtare, që urgjentisht të hetojnë këto pretendime dhe të mbrojnë të drejtat themelore të njeriut për qytetarët në Kosovë.
Qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin pa frikë, pa presion dhe pa dhënë kartat e identitetit si garanci për mbijetesë”, thuhet në fund të njoftimit.

Paunoviq mbron deklaratën për “spastrim etnkik” të Kosovës
Qeveria miraton nismën për aderimin e Kosovës në zonën “EU Roam Like Home”
Kurti: Formimi i institucioneve të reja është përgjegjësi e të gjitha partive politike
Haxhiu cakton 6 gushtin për seancën konstituive të Kuvendit
Asët e “botës serbe” u aktivizuan përsëri, këtë herë në Plevle në Mal të Zi
FAZ publikoi një hulumtim mbi përfshirjen e Vuçiçit në luftë në Sarajevë
Të shtëna me armë zjarri në Lipjan, plagoset një person pas një mosmarrëveshjeje
Policia mohon arrestimin e shtetasit turk: U paraqit si ankues, pas intervistimit u lirua
Shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim